Pingpong, paqe dhe zhvillim: Franca dorëzon stafetën dhe synon Kampionatin Botëror 2027

Në kuadër të nismës globale “Relais autour du Monde”, Ambasada Franceze në Kosovë dhe Komiteti Olimpik i Kosovës organizuan një aktivitet të veçantë në Pallatin e Rinisë, duke vendosur pingpongun në qendër të vëmendjes.

Ky aktivitet është pjesë e një tradite që përfshin ambasadat franceze në të gjithë botën, duke simbolizuar lidhjen mes vendeve përmes sportit dhe vlerave olimpike.

Një moment kyç i këtij eventi ishte dorëzimi simbolik i stafetës, e cila udhëton nga një ambasadë në tjetrën, varësisht zonës kohore, duke ndërtuar një urë bashkëpunimi dhe miqësie mes popujve.

Këtë vit, pingpongu u zgjodh për të theksuar kandidaturën e Francës për të organizuar Kampionatin Botëror të Pingpongut që do të mbahet në vitin 2027.

Në këtë ceremoni morën pjesë Ambasadori francez Olivier Guerot, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi dhe Kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës Jeton Oruçi, në mes të cilëve u zhvilluan edhe disa ndeshje pingpongu. Të pranishëm gjithashtu ishin edhe klubet që veprojnë në Prishtinë dhe Vushtrri

FPPK është e lumtur të jetë pjesë e kësaj kampanje që njëkohësisht promovon sportin e pingpongut dhe e përçon frymën olimpike. /Kosova.info/


Go to TOP