Polici gjendet i plagosur rëndë në hyrje të banesës – konfirmohet vdekja në Kaçanik
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në mbrëmjen e 1 Prillit në Kaçanik, ku një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka ndërruar jetë si pasojë e një plagosjeje të rëndë. Sipas informacioneve zyrtare nga Policia, rreth orës 23:00 është raportuar për një person të plagosur rëndë në hyrje të banesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt ka deklaruar për Gazetën Express se në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitet policore dhe ekipi emergjent, i cili e ka dërguar menjëherë të plagosurin në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik. Përkundër përpjekjeve për t’i ofruar ndihmën e nevojshme, mjekët kanë konfirmuar se viktima nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje, ndërsa deri më tani nuk ka të dhëna për të dyshuar apo për ndonjë motiv të mundshëm.
