Rama mirëpret ambasadore Scerri Ferrante, dhuratë me libra për fëmijët e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mirëpritur në “Odën e Kryeqytetit” Ambasadoren e Maltës në Kosovë, Shkëlqesinë e Saj Juliana Scerri Ferrante, me rastin e një kontributi të veçantë për fëmijët e kryeqytetit.

Me mbishkrimin simbolik “Mjetet në duart tuaja, Librat për fëmijët e Kosovës”, Ambasadorja Scerri Ferrante ka dhuruar një numër të konsiderueshëm librash për Bibliotekën e Fëmijëve në Prishtinë, si shenjë e përkushtimit të saj për të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve.

Gjatë pritjes zyrtare, Kryetari Rama shprehu mirënjohje të thellë për Qeverinë e Maltës dhe Ministrinë e Arsimit të këtij shteti për mbështetjen konkrete dhe ndihmën e drejtpërdrejtë që po i japin fëmijëve të Prishtinës. Në shenjë falënderimi, ai i dorëzoi Ambasadores Scerri Ferrante një certifikatë mirënjohjeje për angazhimin e saj në forcimin e lidhjeve kulturore dhe humanitare ndërmjet dy vendeve.

Dr. Juliana Scerri Ferrante, ish-gjyqtare dhe juriste me karrierë të shquar, bëri histori në mars të vitit të kaluar kur u zgjodh si përfaqësuesja e parë malteze në Komitetin për të Drejtat e Fëmijës pranë Kombeve të Bashkuara.

Kryetari Rama vlerësoi këtë akt si një dëshmi e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Maltës, duke theksuar se përkushtimi ndaj fëmijëve dhe edukimit të tyre është investimi më i mirë për të ardhmen.

“Jemi thellësisht mirënjohës për këtë dhuratë dhe mbështetje të çmuar, që forcon bashkëpunimin tonë dhe i sjell buzëqeshje fëmijëve të Prishtinës,” u shpreh Rama. /Kosova.info/


Go to TOP