Rama falënderon Lushakun dhe Zogajn për kontributin si nënkryetarë të Prishtinës: Uron sukseset e tyre si deputetë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mirënjohje dhe falënderime publike për dy nënkryetarët e deritanishëm të Komunës, Jehona Lushaku dhe Alban Zogaj, të cilët së shpejti do të marrin detyrën e re si deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një reagimi, Rama vlerësoi angazhimin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e tyre të palodhshëm në shërbim të qytetarëve të kryeqytetit duke theksuar se puna e tyre ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e Prishtinës.

“Jehona Lushaku ka luajtur një rol të veçantë jo vetëm si nënkryetare, por edhe si drejtoreshë e Arsimit, ku nisi dhe udhëhoqi reformën më të madhe në sistemin arsimor të kryeqytetit – mësimin tërëditor. Një hap i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kryeqytet,” theksoi Rama.

Rama: Zogaj dha shembull të përkushtimit e vizionit në shërbim të Prishtinës

Kryetari i Prishtinës vlerësoi gjithashtu edhe përkushtimin e Alban Zogajt duke e cilësuar bashkë me Lushakun si shembull të vizionit dhe udhëheqjes në funksion të interesave të qytetarëve.

“Përkushtimi i Albanit dhe Jehonës ndaj qytetarëve, aftësitë udhëheqëse dhe vizioni i tyre për një Kryeqytet më të mirë do të mbeten gjithmonë një frymëzim për të gjithë ne,” shtoi Rama.

Në fund, ai uroi sukses të mëtejshëm për të dy në detyrat e reja si deputetë duke shprehur bindjen se kontributi i tyre do të vazhdojë në avancimin e vendit. /Kosova.info/

Go to TOP