Hadergjonaj zyrtarisht deputet: Do ta nderoj besimin tuaj me dinjitet dhe përkushtim
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Gjeneral Fadil Hadergjonaj Bjeshka ka konfirmuar se ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në një reagim publik, Hadergjonaj e cilësoi këtë si një nder dhe përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve që i dhanë votën dhe besimin e tyre. Ai theksoi se për herë të parë, pas shërbimit aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka marrë pjesë në një garë politike nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
“Vendimi për të hyrë në politikë ishte një hap i madh, por ju më dhatë forcën dhe besimin për ta ndërmarrë këtë rrugëtim. Me përulësi, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për familjen time, bashkëluftëtarët, strukturat e LDK-së dhe mbi të gjitha për ju – votuesit e Kosovës dhe të mërgatës sonë të palodhur,” u shpreh ai.
Deputeti i sapozgjedhur siguroi se do të punojë me përkushtim dhe integritet të palëkundur për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit. “Do të jem zëri juaj në Kuvend! Do të punoj pa u ndalur me bindjen e plotë se vetëm duke shërbyer me përgjegjësi dhe ndershmëri mund t’i bëjmë nder Kosovës,” përfundoi Hadergjonaj.
Rezultatet përfundimtare të KQZ-së kanë konfirmuar përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, ku LDK-ja ka siguruar një numër të rëndësishëm mandatesh, ndërsa deputetë të rinj si Hadergjonaj pritet të sjellin energji të reja në skenën parlamentare.
