Dodik u largua nga BeH, pavarësisht urdhërarrestit
Policia Kufitare e Bosnjës e Hercegovinës po heton se si Milorad Dodik kaloi kufirin, pavarësisht një urdhërarresti. Dodik është parë në Beograd dhe ka spekulime për një kalim të paligjshëm për shkak të mungesës së policëve.
Policia Kufitare e Bosnje dhe Hercegovinës ka hapur një hetim se si dhe ku Milorad Dodik kaloi kufirin e vendit dhe shkoi në Serbi të hënën, pavarësisht faktit se për të ishte lëshuar një urdhër policie.
Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës urdhëroi paraburgimin dhe lëshoi urdhërarrest për Dodikun, si dhe për kryeministrin e Republikës Serbe, Radovan Viskovic dhe kryetarin e Parlamentit të entitetit, Nenad Stevandic, për shkak të faktit se ata refuzuan t’i përgjigjen ftesave për marrjen në pyetje, të dërguara atyre nga prokuroria, raporton 24.sata.hr.
Urdhri i arrestit, i cili aktualisht është i vlefshëm për territorin e Bosnjë-Hercegovinës, detyron të gjitha agjencitë policore në atë vend që të arrestojnë Dodikun, Vishkoviqin dhe Stevandiqin dhe t’i dorëzojnë në policinë gjyqësore. Kjo vlen edhe për Policinë Kufitare, pjesëtarët e së cilës pothuajse çdo ditë, gjatë kontrolleve të rregullta kufitare, zbulojnë dhe kapin persona për të cilët disa nga gjykatat në vend kanë lëshuar urdhër-arreste.
Por pavarësisht urdhërarrestit, Dodik arriti të kalonte kufirin pa pengesa të hënën dhe të shfaqej në Beograd, ku qëndroi përkrah Aleksandër Vuçiqit në një tubim të organizuar nga qeveria e tij për të shënuar përvjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë në vitin 1999 për të ndalur persekutimin e shqiptarëve në Kosovë.
Kemal Ademovic, anëtar i Komitetit të Përbashkët të dy Dhomave të Parlamentit të BeH-së për Mbrojtjen dhe Sigurinë, ka paralajmëruar mbajtjen e një seance të veçantë të komisionit për shkak të këtij incidenti, i cili ka vënë në pikëpyetje gjendjen e sektorit të sigurisë në vend.
Policia Kufitare e BeH-së konfirmoi të martën se drejtori i saj, Mirko Kupresakoviç, urdhëroi një hetim se si Milorad Dodik kaloi kufirin midis BeH-së dhe Serbisë dhe deklaroi se po merren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur kufirin shtetëror në përputhje me ligjin.
