Kosova ndalon importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Sllovakia pas shpërthimit të Aftës Epizootike
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka vendosur ndalesë për importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Sllovakia, pas shpërthimit të sëmundjes virale “Afta Epizootike” (FMD) në këtë shtet.
Sipas njoftimit zyrtar në sistemin e lajmërimit të sëmundjeve ADIS të BE-së, sëmundja është përhapur në zonën kufitare të Sllovakisë me Hungarinë. Masa është marrë bazuar në Kodin Terrestial të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (WOAH), si dhe ligjet e BE-së dhe të Kosovës për shëndetin veterinar.
Ndalesa përfshin importin e gjedheve, deleve, dhive, derrave dhe produkteve të tyre, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në vendin tonë. Afta Epizootike është një sëmundje virale me përhapje të shpejtë, që prek kafshët dythundrake, shkakton dëme të mëdha ekonomike dhe ndalon tregtinë e produkteve të prekura.
Sëmundja nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve, por ka ndikim të madh në sektorin bujqësor dhe blegtoral. Simptomat kryesore te kafshët përfshijnë ethe dhe formim të flluskave në gojë, thundra dhe gjinj. AUV njofton se Kosova mban statusin e lirë nga kjo sëmundje dhe ka kapacitetet inspektuese për të mbajtur situatën nën kontroll. /Kosova.info/
