26 vjet nga vrasja e Latif Berishës dhe Agim Hajrizit – Abdixhiku: Kujtesë e përjetshme për veprimtarët e lirisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot veprimtarët Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, në 26-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe më 24 mars 1999.

“Nderojmë dhe kujtojmë dy figura të shquara të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës, Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, të cilët u ekzekutuan në shtëpitë e tyre, në ditët më të errëta për vendin tonë,” tha Abdixhiku.

Latif Berisha ishte një emër i shquar në fushën akademike dhe kulturore – poet, profesor dhe studiues, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin shqip në Kosovë.

Agim Hajrizi, një sindikalist dhe patriot i palëkundur, udhëhoqi Sindikatën e Kuvendit të Kosovës në një kohë të vështirë duke mbrojtur të drejtat e punonjësve dhe të popullit. Tragjikisht, më 24 mars 1999, ai u vra së bashku me nënën dhe djalin e tij, Ilirin, në një akt brutal të regjimit serb.

“Latif Berisha dhe Agim Hajrizi do të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë si figura të ndritura të Mitrovicës dhe të gjithë Kosovës. Veprat e tyre do të jenë gjithmonë një burim frymëzimi,” përfundoi Abdixhiku.

Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi!. /Kosova.info/


Go to TOP