Rama: Mbi 1/3 e popullsisë së Kosovës hyn çdo ditë në kryeqytet
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se mbi një e treta e popullsisë së Kosovës hyn çdo ditë në kryeqytet, duke e bërë menaxhimin e trafikut një sfidë kyçe. Sipas të dhënave të analizuara nga IPKO, rreth 780,000 hyrje të përdoruesve të kësaj kompanie regjistrohen çdo ditë në rrugët e Prishtinës.
Për të optimizuar lëvizjen dhe për të identifikuar pikat më të ngarkuara, janë realizuar mikroanaliza të detajuara në bashkëpunim me UNDP dhe Komunën e Prishtinës. Këto analiza ndihmojnë në kuptimin e rrjedhës së trafikut dhe destinacioneve kryesore, duke mundësuar vendimmarrje të bazuar në të dhëna për një qytet më të qasshëm dhe të organizuar.
Rama ka theksuar rëndësinë e teknologjisë dhe analizave të sakta për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të lehtësuar lëvizjen në kryeqytet. Ky proces pritet të ndihmojë në planifikimin e politikave të transportit urban dhe në zgjidhjen e sfidave të trafikut të dendur. /Kosova.info/
