Rama dhe Durmishi krijojnë grup punues për ristrukturimin e transportit publik
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në takim zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ku diskutuan për zgjidhjen e problemeve të trashëguara në sektorin e transportit publik.
Si rezultat i këtij takimi, palët u dakorduan për krijimin e një grupi të përbashkët punues, i cili do të angazhohet në ristrukturimin dhe optimizimin e sistemit të transportit publik. Ky grup do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), komunës së Prishtinës, komunës së Podujevës dhe shoqatës së transportit.
Sipas Ramës, puna e grupit ka nisur menjëherë sot dhe synon të sjellë ndryshime thelbësore në funksionimin e transportit publik, duke e shndërruar atë në një faktor kyç për zhvillimin urban dhe uljen e ngarkesës së trafikut në qendër të kryeqytetit.
“Ky angazhim i përbashkët do të hapë rrugën për një transformim të vërtetë të transportit publik, duke e kthyer atë në një shërbim efikas dhe të qëndrueshëm për qytetarët,” deklaroi Rama. /Kosova.info/
