“Kulturocidi serb në Kosovë 1990-1999” – Libri që dokumenton shkatërrimin e arsimit dhe kulturës shqiptare nga forcat pushtuese të Serbisë
Libri “Kulturocidi serb në Kosovë 1990-1999”, tashmë është në dritë. Ky libër prezanton dhe dokumenton plojën e regjimit serbo-jugosllav gjatë periudhës 1990-1998, si dhe gjenocidin e kulturocidin e kryer nga forcat pushtuese të Serbisë në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.
Libri vjen si rezultat i një hulumtim katërvjeçar. Janë realizuar rreth 400 intervista dhe janë mbledhur mbi 1200 dëshmi dhe dokumente në bashkëpunim me 452 drejtori shkollore dhe institucione shtetërore, në mënyrë që të gjurmohen dëmet në fushën e arsimit, shkollimit dhe kulturës. Kuptohet, për aq sa kanë leju të dhënat dhe dëshmitë institucionale. Për çdo të dhënë a informacion, ka një dokument mbrapa, një njeri që rrëfen për ngjarjet e luftës ose një adresë burimore.
Botimi është në dy gjuhë, në shqip dhe në anglisht. Brenda librit gjenden mbi 80 dokumente dhe rreth 80 fotografi. Stili i të shkruarit është gazetaresk dhe lehtë i kuptueshëm. Një pjesë e dokumentacioneve nuk janë përfshirë sepse ka qenë e nevojshme të respektohet privatësia e shumë njerëzve si për shembull në rastin e raporteve për shtëpitë-shkolla. I gjithë shkrimi është bërë në formë artikujsh për të gjitha rajonet e Kosovës. Me rreth 700 faqe, libri përbëhet nga dy pjesë.
Pjesa e parë përmban të dhëna për vrasjet dhe masakrat ndaj popullsisë civile shqiptare, krimet dhe masakrat ndaj fëmijëve, personat e zhdukur me forcë gjatë luftës, torturat dhe dhunimet seksuale nga forcat serbe, të burgosurit politikë shqiptarë nga regjimi serbo-jugosllav, spastrimin etnik, rrezikun nga minat tokësore që janë vendosur nga forcat serbe gjatë luftës dhe të cilat janë çminuar nga forcat ndërkombëtare pasluftës, dëmet në shëndetësi dhe infrastrukturë, helmimin e burimeve ujore nga forcat serbe dhe pastrimin e tyre nga organizatat ndërkombëtare pasluftës, dëmet ndaj objekteve fetare, si dhe zhdukjen e artefakteve.
Ka qenë e domosdoshme të merren të dhëna që burojnë nga adresa të besueshme dhe janë përfshirë thuajse të gjitha organizatat, gjykatat, institutet dhe mediat kredibile ndërkombëtare. Për korrektësi dhe qartësim, janë të dhëna si rezultat i punës së të tjerëve dhe neve na është dashur t’i përfshijmë të gjitha në një vend. Prandaj, lexuesit e kanë një pasqyrë të qartë për ngjarjet e luftës dhe kanë mundësi të hulumtojnë më thellë nëpërmjet burimeve të pasqyruara.
Pjesa e dytë e librit, njëherësh objektivi i hulumtimit, kanë qenë segmenti kulturor dhe arsimor. Janë gjetur dhe identifikuar shkollat fillore, të mesme dhe bibliotekat e mbyllura, shtëpitë-shkolla dhe vendbanimet ku është organizuar procesi mësimor në vitet e ’90-ta, shifrat e mësimdhënësve të përjashtuar, librat, gazetat dhe materialet shqipe të asgjësuara e të shkatërruara përgjatë kohës së aparteidit ndërmjet viteve 1990-1998, si dhe dosja e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.
Nga vitet e luftës 1998-1999, janë gjetur dhe identifikuar shkollat e dëmtuara, të shkatërruara dhe të djegura, bibliotekat e dëmtuara, të shkatërruara dhe të djegura, librat e asgjësuara, të dëmtuara, të shkatërruara dhe të djegura, shkollat që janë minuar nga forcat serbe e të çminuara nga forcat ndërkombëtare pasluftës, shkollat e përdorura si kazerma ushtarake e qendra komandimi, si dhe shkatërrimet e ditarëve dhe dokumentacioneve shkollore.
Sa i përket fushës kulturore dhe arsimore, unë të paktën nuk kam hasur në të dhëna e dokumentime detajuese që ndërlidhen me pasojat e luftës në të kaluarën, megjithëse është shkruar. Rrjedhimisht, e kam parë më se të nevojshme të kryej hulumtime dhe të gjejë dokumente që nxjerrin rezultate të hollësishme, veçanërisht ato të cilat e shpërfaqin fushatën shkatërrimtare nga forcat serbe. Dhe, në mënyrë që, të gjitha të dhënat të jenë të hapura dhe t’i prezantohen publikut.
Deri në vitin 1945, brenda Kosovës nuk kishte kurrfarë kushtesh për shkollim dhe arsimim shkaku i pushtimeve të huaja. Edhe ai pak shkollim që arrihej në mënyra të ndryshme, prekte një masë të vogël të popullsisë shqiptare.
Dhe, pastaj, çdo gjë që e ndërtuan shqiptarët nga viti 1945 e deri në vitin 1990 nën rrethanat pushtuese të ish-Jugosllavisë, u shkatërrua brenda një periudhe nëntëvjeçare nga regjimi serbo-jugosllav dhe forcat pushtuese të Serbisë. Tërë ajo plojë e kryer nga viti 1990-1999, nuk do të jetë as e humbur dhe as në harresë.
Gjithsesi, kërkoj falje nëse ka ikur ndonjë gjë me ose pa dashje! Kështu që, të dhënat shtesë, nëse mund të ketë eventualisht, shpresojmë të plotësohen në hulumtimet e ardhshme. Janë mbi 800 njerëz me të cilët kam bashkëpunuar dhe të cilët e kanë ndihmuar hulumtimin sipas mundësive të tyre. Andaj, jetësisht mirënjohës dhe falënderues secilit dhe secilës!
Sipas hulumtimit del se, si pasojë e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, nga forcat pushtuese të Serbisë janë dëmtuar, shkatërruar dhe djegur 320 shkolla. Prej tyre, 173 shkolla janë shkatërruar dhe djegur tërësisht, ndërsa 147 janë demoluar, dëmtuar dhe djegur pjesërisht. Gjithashtu, gjatë gjithë luftës, 24 shkolla janë shfrytëzuar si kazerma ushtarake, qendra komandimi e pika strategjike nga forcat serbe, nga ku i kanë vrojtuar vendbanimet e tjera dhe kanë organizuar ofensiva ndaj popullsisë civile shqiptare.
Ndër të tjera thuhet se pesë shkolla janë minuar gjatë ose në përfundim të luftës nga forcat ushtarake të Serbisë. Shkolla Fillore në Berjahë të Gjakovës është minuar dhe eksploduar në verën e vitit 1998, ndërsa katër shkolla të tjera janë çminuar nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare pasluftës.
Hulumtimi prezanton edhe dëmet ndaj bibliotekave dhe sipas të dhënave del se janë 196 biblioteka të dëmtuara, të shkatërruara dhe të djegura nga forcat serbe, përfshi edhe rreth 1.7 milionë libra.
Gëzim OLLURI
