Haziri: Skandali në Gjilan tregon degradimin e qeverisjes nga VV, hetimet të përmbyllen sa më shpejt

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj skandalit të fundit në Gjilan, ku persona të paautorizuar kanë thyer derën e buxhetit të komunës, çka ka çuar në dorëheqjen e drejtoreshës përgjegjëse. Haziri ka kërkuar që hetimet të përmbyllen sa më shpejt për të zbardhur këtë rast të cilin e quan “të paprecedent në historinë e komunës.”

“LDK e ka alarmuar këtë situatë në vazhdimësi. Tani, me këtë skandal, VV e bëri Gjilanin si një shitore të thyer edhe zyrtarisht,” deklaroi Haziri duke theksuar se përgjegjësia e ekzekutivit lokal është e qartë.

Ai gjithashtu kërkoi hetime për moszbatimin e projekteve komunale, duke theksuar se disa projekte që kanë nisur më 18 janar janë realizuar pa leje pune për shkak të problemeve me pronat dhe mospërputhjes me Planin Zhvillimor Komunal. Sipas tij, kjo përbën “krim urban.”

Haziri akuzoi VV-në për nepotizëm të skajshëm në komunën e Gjilanit, duke thënë se punësimet bëhen mbi baza familjare. “Nëse nuk je kunatë, baxhanak, balldëskë, dajë ose nip i të parit të ekzekutivit, nuk mund të punësohesh në institucionet komunale,” ironizoi ai, duke përmendur konkretisht punësimin e nipit të kryetarit të komunës në Njësinë e Zjarrfikjes.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për punësimet mbi vepër në mënyrë të kundërligjshme, duke theksuar se këtyre personave u është dhënë qasje në asetet publike, një shkelje që, sipas tij, kërkon përgjegjësi penale. “Shifrat e shpenzimeve publike janë marramendëse dhe po dëmtojnë buxhetin e qytetarëve,” shtoi ai.

Në fund, Haziri falënderoi grupin e këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit për përpjekjet e tyre për të krijuar një normalitet pune dhe për të adresuar problemet serioze të qytetit. /Kosova.info/


Go to TOP