Qehaja kritikon deklaratën e Sekretarit të NATO-s: FSK nuk mund të kufizohet vetëm në rol humanitar

Ish-ushtaraku dhe eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja, ka reaguar ndaj deklaratës së Sekretarit të NATO-s gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ku Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u përshkrua kryesisht si një forcë me rol humanitar. Sipas Qehajës, një qëndrim i tillë është i papajtueshëm me realitetin në Kosovë dhe zhvillimet e fundit globale.

Në një deklaratë publike, ai theksoi se FSK-ja, me mandat të mbrojtjes, nuk do të ishte vetëm një garantuese e paqes në vend, por edhe një aset për përpjekjet e përbashkëta të sigurisë evropiane.

“Kapacitetet tona ushtarake janë në rritje përmes bashkëpunimeve bilaterale, por është koha që burokracia e NATO-s të reflektojë dhe të përshtatë qëndrimet e saj në funksion të interesave të sigurisë rajonale,” tha Qehaja.

Ai theksoi se në një mjedis gjithnjë e më kompleks të sigurisë, Kosova nuk mund të mbetet e kufizuar vetëm në operacione humanitare, por duhet të ketë një rol të plotë mbrojtës, në përputhje me ambiciet e saj strategjike dhe përvojën e shteteve të tjera partnere të NATO-s. /Kosova.info/

Go to TOP