Kica Xhelili: LDK nuk hyn në qeveri pa udhëheqjen e saj – i qëndrojmë besnik elektoratit tonë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka ritheksuar qëndrimin e partisë së saj lidhur me formimin e qeverisë, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) dhe duke theksuar se LDK nuk do të bëhet pjesë e ndonjë qeverie që nuk e udhëheq vetë.

Në një deklaratë publike, Kica Xhelili potencoi se LDK nuk është pjesë e një “blloku opozitar” dhe nuk do të krijojë një qeveri të paqëndrueshme vetëm për hir të pushtetit. Ajo theksoi se këto parime janë komunikuar qartë gjatë fushatës dhe se elektorati i LDK-së i ka mbështetur mbi këtë bazë.

“Nëse ky vend sot na do në opozitë, si parti të tretë, aty do të na ketë! Për ne, dobësimi i LDK-së nënkupton dobësimin e Kosovës, prandaj gabimet nuk i përsërisim. Sot, i qëndrojmë besnik elektoratit tonë dhe qëndrimeve tona,” u shpreh ajo.

Kica Xhelili gjithashtu theksoi rritjen e LDK-së në këto zgjedhje, duke përmendur se partia ka marrë 65 mijë vota më shumë se në vitin 2021. “Një ditë, do të ringritemi si një!”, përfundoi ajo. /Kosova.info/

Go to TOP