Kastrati: Vendosja e numrave identifikues të shtëpive ka rëndësi të madhe
Komuna e Malishevës ka njoftuar se procesi i vendosjes së numrave identifikues për shtëpi dhe objekte ka vazhduar sot dhe pritet të përfundojë brenda 15 ditëve të punës.
Sipas njoftimit të kësaj komune, aktiviteti është parë nga afër edhe nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe drejtori i Urbanizmit, Avdi Morina.
“Vendosja e numrave identifikues është një hap i rëndësishëm për identifikimin dhe orientimin e saktë, përmirëson shërbimet publike, ndihmon në planifikimin e politikave urbane dhe zhvillimore, dhe krijon më shumë siguri për qytetarët tanë”, ka thënë Kastrati thuhet në njoftim.
Po ashtu, drejtori i Urbanizmit, Avdi Morina, ka sqaruar se më herët janë vendosur një pjesë e numrave identifikues, ndërsa tani vazhdon realizimi i plotë dhe vendosja e të gjitha numrave për shtëpitë dhe objektet në të gjithë territorin e Komunës së Malishevës.
Sipas tij, projekti përfshin edhe 699 rrugë dhe 11,317 numra për shtëpi dhe objekte.
Ky projekt financohet nga Banka Botërore dhe po realizohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Malishevës. /Kosova.info/
