LDK e Gjilanit: Drejtoresha e Buxhetit konfirmoi abuzimet, Komuna është bërë “shitore e thyer”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Gjilan ka reaguar ashpër pas dorëheqjes së drejtoreshës së Buxhetit, Herolinda Murati Leka duke e cilësuar si një konfirmim të alarmit që kjo parti ka ngritur prej kohësh për keqmenaxhimin e financave komunale nga qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

Sipas LDK-së, Komuna e Gjilanit ka degraduar në mënyrë drastike duke e kthyer administratën komunale në një “shitore të thyer”, ku keqpërdorimet financiare dhe mungesa e disiplinës buxhetore janë bërë të zakonshme. Partia opozitare akuzon ekzekutivin lokal për shpenzime të paautorizuara, projekte të papërfunduara dhe dyfishim të vlerave të kontratave duke e cilësuar këtë situatë si abuzim të organizuar.

Një shqetësim i veçantë i ngritur nga LDK është se persona të paautorizuar kanë hyrë në zyrat ku menaxhohet buxheti i qytetit duke e cilësuar këtë si një rast alarmant që kërkon hetim të menjëhershëm nga organet e sigurisë.

“Komuna e Gjilanit, e cila gjatë tetë viteve të qeverisjes së LDK-së kishte disiplinë të rreptë financiare, tashmë është penalizuar nga të gjitha grantet, si ato të qeverisë qendrore ashtu edhe të organizatave ndërkombëtare, për shkak të abuzimit me paranë publike, të cilin tashmë e ka konfirmuar edhe auditori i pavarur,” thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas opozitës komunale, këto zhvillime janë dëshmi e “dështimit monumental” të kryetarit Alban Hyseni dhe administratës së tij duke e kthyer Gjilanin në një “gropë të zezë financiare” dhe duke dëmtuar rëndë imazhin e komunës.

LDK ka kërkuar masa urgjente nga institucionet e drejtësisë për të hetuar dhe ndaluar keqmenaxhimin e financave publike në Gjilan. /Kosova.info/


Go to TOP