GAP: Vetëm 28% e bizneseve të grave dhe 49% të pakicave etnike në Kosovë përdorin e-tregtinë për shitje online

Instituti GAP publikoi sot raportin “Fuqizimi i bizneseve në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë përmes tregtisë elektronike”, i cili analizon përdorimin e e-tregtisë nga bizneset mikro, të vogla dhe të mesme në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë.

Raporti bazohet në të dhëna të mbledhura nga një anketë gjithëpërfshirëse me 757 biznese, si dhe në intervista individuale dhe fokus grupe me pronarët e bizneseve.

Sipas gjetjeve, 57% e bizneseve në pronësi të grave dhe 56% e bizneseve në pronësi të pakicave etnike kanë prezencë online. Megjithatë, vetëm 28% e bizneseve të grave dhe 49% e bizneseve të pakicave etnike shfrytëzojnë e-tregtinë për të realizuar shitje online. Platforma kryesore për promovim dhe ndërveprim mbeten rrjetet sociale.

Raporti tregon se shumica e këtyre bizneseve operojnë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, por të ardhurat përmes e-tregtisë përbëjnë më pak se 25% të fitimeve të përgjithshme.

Instituti GAP thekson se pandemia COVID-19 ka përshpejtuar përdorimin e e-tregtisë, por sfidat mbeten të shumta, sidomos në marketingun digjital dhe aftësitë për menaxhimin e platformave online.

Në përfundim, raporti bën thirrje për mbështetje institucionale dhe ndërkombëtare përmes trajnimeve të personalizuara, subvencioneve për marketingun digjital dhe lehtësimit të partneriteteve me platforma të e-tregtisë, si hap i rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të grave dhe pakicave etnike në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP