Aston Villa fiton në Belgjikë

Aston Villa ka marrë një fitore të vlefshme 3-1 ndaj Club Brugge në Belgjikë, duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në çerekfinale të Champions League.

Skuadra angleze e ka nisur ndeshjen më mirë dhe e ka gjetur golin e avantazhit që në minutat e para me anë të Bailey.

Megjithatë, vendasit kanë reaguar shpejt dhe De Cuyper e ka rikthyer baraspeshën në rezultat, duke dhënë sinjale se Brugge nuk do të dorëzohej lehtë.

Belgët kanë pasur disa mundësi për të kaluar në epërsi, por portieri Emiliano Martínez ka bërë pritje vendimtare për t’i mbajtur në lojë anglezët.

Në fundin e ndeshjes, skuadra e Unai Emery ka përfituar nga shpërqendrimet e vendasve. Fillimisht, një autogol i Mechele i ka dhënë avantazhin Aston Villa, ndërsa më pas Asensio e ka vulosur fitoren me një penallti të ekzekutuar saktë.

Me këtë triumf, Aston Villa siguron një epërsi të rëndësishme përpara ndeshjes së kthimit në Angli, ku do të synojë ta konfirmojë kualifikimin.


Go to TOP