Canolli: Muaj feste për antropologjinë shqiptare, botohen në shqip studimet e Reineck, Backer dhe Duijzings
Profesori universitar Arsim Canolli ka vlerësuar këtë muaj si një festë për antropologjinë shqiptare, me botimin në gjuhën shqipe të studimeve ikonike nga tre antropologë që kanë hulumtuar Kosovën.
Berit Backer, Janet Reineck dhe Ger Duijzings, të cilët Canolli i cilësoi si “tre musketarët e antropologjisë së Kosovës”, kanë bërë që Kosova të jetë e njohur në qarqet shkencore ndërkombëtare gjatë viteve 70, 80 dhe 90.
“Sot, studimet e tyre po vijnë në shqip si kujtim, respekt dhe dhuratë për brezat e ardhshëm. Janet Reineck ka shkruar një doktoratë shembullore, që do të jetë një referencë ikonike për antropologjinë e Kosovës dhe antropologjinë shqiptare në përgjithësi,” ka thënë Canolli.
Ai ka vlerësuar përkthimin e këtyre studimeve nga antropologia Lumnije Kadriu, duke ftuar të gjithë të kthehen pas në kohë për të kuptuar “strehët” e asaj periudhe dhe për të reflektuar mbi “strehët” e reja të sotme.
Këto botime pritet të kenë ndikim të madh në fushën e studimeve antropologjike dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive për shoqërinë kosovare. /Kosova.info/
