“Arti në shkolla” – Filarmonia e Kosovës mban koncert me nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”
Në kuadër të programit “Arti në shkolla”, Filarmonia e Kosovës nesër, më 4 mars, do të mbajë koncert në dy terminë, prej orës 14:00 dhe 15:00, në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Nën dirigjimin dhe interpretimin e violinistes franceze Anna Göckel, orkestra do të prezantojë vepra nga kompozitorët e njohur Benjamin Britten dhe Joseph Haydn.
Koncerti vjen në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Filarmonisë së Kosovës dhe shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, ku në pjesën e dytë të koncertit, përkrah instrumentistëve të Filarmonisë, do të paraqiten edhe nxënësit e kësaj shkolle.
Ky aktivitet synon të afrojë artin e muzikës klasike te të rinjtë dhe të inkurajojë talentet e reja në fushën e muzikës. /Kosova.info/
