Përkujtohet veprimtari i çështjes kombëtare Isa Zhel Hasanaj
Në 7-vjetorin e ndarjes nga jeta në Gllogjan është përkujtuar veprimtari i çështjes kombëtare Isa Zhel Hasanaj. Me këtë rast familjarë, shokë e bashkëveprimtarë e kanë vlerësuar lart aktivitetin dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë së Kosovës.
Nasim Haradinaj, bashkëveprimtarë i tij tha se lëvizjet atdhetare të viteve të 80-ta për çlirim, Isa Zhelin e gjetën të angazhuar në organizimet ilegale të asaj kohe siç ishin komitetet e vendit me seli në Gllogjan, duke u bërë njëri ndër protagonistët më aktiv për çlirim kombëtar. Ai tha se Isa Hasanaj i takon plejadës së atdhetarëve të shquar të cilët e mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë për vite e dekada me radhë. Haradinaj tha se si bashkëveprimtar dhe shok i ngushtë i Jashar Salihut, Isa Hasanaj nuk do të kursente asgjë në rrugën e gjatë për lirinë e Kosovës. Angazhimi dhe emri i tij në luftën çlirimtare të UÇK-së dhe sidomos në fondin e luftës, “Vendlindja thërret” kurdoherë do të mbetet i shkruar në faqen e lavdishme të historisë sonë më të re.
“Kur njeriu arrin të bëhet model për të tjerët, njëkohësisht bëhet i pavdekshëm”, tha me këtë rast kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj duke shtuar se qëndresa e tij dhe e shokëve të idealit, kanë mbetur shembull atdhedashurie për ne dhe për brezat që do të vijnë.
“Ata nuk u dorëzuan as nëpër kazamatet serbe, ku i përjetuan maltretimet dhe torturat më çnjerëzore nga punëtorët e ish-sigurimit jugosllav”, tha Ramosaj.
Ai tha se në këto kushte dhe rrethana të rënda, sidomos nga përndjekjet e pandërprera politike, Isa Hasanaj bashkë me bashkëshorten, Xhevahiren, i lindën, i rritën dhe i edukuan me plot dashuri shtatë fëmijët e tyre, katër djem dhe tri vajza, duke mbjellë dhe kultivuar tek ata frymën dhe ndjenjat e pastra të atdhedashurisë.
Në këtë përvjetor po ashtu nga të pranishmit u tha se Isa Zhel Hasanaj i takon një këtij brezi fisnik, për të cilët çlirimi i atdheut dhe liria e tij, nuk kishin çmim.
Këtë e dëshmuan edhe trashëgimtarët e tij, djem e vajza, të cilët po ashtu nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre për lirinë e Kosovës.
Njëri prej tyre, më i vogli e më i miri, Arton Isa Hasanaj, një fisnik i rrallë i këtij trungu, gjakun e tij të njomë do ta vendosë në themelet e lirisë së Kosovës më 11 gusht 1998 në njërën prej betejave më të lavdishme të UÇK-së në Gllogjan, bashkë me dëshmorin e kombit Naim Nimonaj themele këto që i patën nisur, i ati Isë Zheli dhe bashëveprimtarët e pavdekshëm si ai.
