Bajra: ShBA do ta zgjidhë përfundimisht çështjen Kosovë-Serbi, por ne s’duhet të jemi “kokëfortë”
Profesori universitar, Ujkan Bajra, ka komentuar fuqinë dhe ndikimin amerikan në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar për më shumë se një shekull aftësinë e tyre për të ndikuar në çështjet globale.
Ai ka kritikuar evropianët për qasjen e tyre ndaj krizave ndërkombëtare duke thënë se ata shpesh veprojnë si “parazitë” dhe “të paaftë”, ndërsa SHBA vazhdon të marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve, përfshirë paqen në Ukrainë dhe përfundimin e çështjes Kosovë-Serbi.
Sipas Bajrës, Kosova nuk mund të presë të fitojë pa bërë asnjë lëshim dhe duhet të jetë e gatshme të përballet me sfida për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Ai ngriti dilemën nëse zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë do të vijë sipas parimit “lidhe kalin ku të thotë zotëria” apo nëpërmjet një qasjeje më të pavarur.
Profesori apeloi për një raport më të afërt me SHBA-në duke theksuar se shqiptarët nuk duhet të jenë “kokëfortë” në marrëdhëniet me aleatët e tyre kryesorë. Ai kritikoi gjithashtu disa qëndrime të deritanishme të Kosovës, të cilat i cilësoi si një lloj “injorance donkishoteske” ndaj zhvillimeve globale dhe marrëdhënieve me Uashingtonin.
“Shumica absolute e popullit tonë beson në fuqinë e SHBA-së dhe në mbështetjen që ajo i jep Kosovës, prandaj duhet të vazhdojmë ta ruajmë këtë partneritet,” përfundoi Bajra. /Kosova.info/
