Haziri: LDK mbështet buxhetin për Gjilanin, jo për një individ

Kanë mbetur vetëm 14 ditë për të shpëtuar Komunën e Gjilanit nga masat e jashtëzakonshme, të shkaktuara nga menaxhimi i dobët i ekzekutivit aktual, deklaroi Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ai rikujtoi periudhën e qeverisjes së LDK-së, kur Gjilani ishte model i bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare, duke siguruar investime prej 132 milionë euro nga BERZH, EIB, KFW dhe BB. Përveç kësaj, komuna kishte fituar dhjetëra grante për shkak të menaxhimit të mirë financiar dhe transparencës së lartë, ndërsa vlerësimi i saj pozitiv arriti deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Haziri kritikoi qeverisjen aktuale, duke e cilësuar Gjilanin si komunë të përjashtuar nga grantet qeveritare dhe partnerët ndërkombëtarë për shkak të keqmenaxhimit buxhetor dhe raportit negativ të Auditorit të Përgjithshëm. Ai përmendi projekte të ngecura ose të dështuara, si stadiumi i qytetit, rruga “Adem Jashari”, palestra e sporteve dhe autostrada për juglindjen, duke akuzuar ekzekutivin aktual për mungesë të planifikimit dhe zbatimit.

Haziri theksoi se buxheti për vitin 2025 mund të kalojë vetëm nëse harmonizohen programet qytetare në Kuvend me mbështetjen e të gjitha grupeve politike. “Buxheti elektoral i projektuar për një individ nuk do të kalojë. Ne mbështesim vetëm buxhetin për Gjilanin, sepse e duam qytetin më shumë se partinë,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP