Rama: Sot është festa e demokracisë, çdo votë ndërton të ardhmen e Kosovës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë një mesazh frymëzues për qytetarët e Kosovës në këtë ditë zgjedhjesh, duke e cilësuar atë si një festë të demokracisë, vullnetit dhe të drejtës së çdo qytetari për të vendosur për të ardhmen e vendit.
“Sot nuk është thjesht një ditë zgjedhjesh – është një ditë krenarie dhe përgjegjësie, ku çdo votë është një gur i çmuar në themelin e një shoqërie më të fortë dhe më të drejtë,” shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Ai shprehu mirënjohje për qytetarët që gjatë gjithë fushatës zgjedhore treguan kulturë, respekt dhe pjekuri demokratike. “Ky është mesazhi i një shoqërie të zhvilluar, që beson në vlerat e lirisë dhe demokracisë,” theksoi ai.
Një urim të veçantë, Rama e adresoi për ata që votojnë për herë të parë, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tyre si një hap historik në ndërtimin e së ardhmes që dëshirojnë.
Në fund, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në votime me vullnet dhe besim, duke e konsideruar këtë ditë si një moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës.
“Le të dalim në votime me vullnet dhe besim – sepse sot është festa jonë, festa e demokracisë!”, përfundoi ai. /Kosova.info/
