Ukaj: Zgjedhjet e 9 shkurtit janë mes Kosovës pro-amerikane dhe një Kosove të izoluar

Publicisti Ndue Ukaj ka bërë një thirrje të fortë qytetarëve të Kosovës, duke i ftuar që në zgjedhjet e 9 shkurtit të refuzojnë, siç e quan ai, “anti-amerikanizmin e Albin Kurtit dhe mendësinë e tij sunduese”.

Sipas Ukajt, zgjedhjet nuk janë vetëm një garë politike, por një përballje mes dy vizioneve të kundërta për të ardhmen e Kosovës. “Kosova vendos nëse do të ecë me Amerikën apo kundër saj,” shkruan ai duke theksuar se mbështetja për SHBA-të është thelbësore për zhvillimin e vendit.

Duke e krahasuar qeverisjen e Kurtit me një qasje komuniste, Ukaj citon Mustafa Krujën për të argumentuar se komunizmi sjell shkatërrim dhe izolim. Ai paralajmëron se vazhdimi i kësaj rruge do të çojë Kosovën drejt sanksioneve dhe izolimit ndërkombëtar duke humbur mbështetjen e aleatëve perëndimorë.

“Nesër duhet të refuzohet kjo mendësi shkatërruese. E ky është kontributi më i madh që i bëjmë vendit, prej shpalljes së pavarësisë,” përfundon Ukaj, duke bërë thirrje për një vendim të qartë në favor të aleancës me Perëndimin. /Kosova.info/

Go to TOP