Prishtina organizon konferencë ndërkombëtare për krimet e luftës në Kosovë
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë organizon konferencë ndërkombëtare në Prishtinë, në të cilën do të marrin pjesë studiues dhe akademikë nga universitete prestigjioze nga Amerika dhe Evropa. Atdhe Hetemi, drejtor i këtij instituti tha se këta studiues do t’i prezantojnë të dhënat preliminare të gjetjeve të tyre që i kanë pasur.
Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se “ne mëtojmë që ta kemi një publikim të Institutit, që publikimi të bëhet nga Cambridge University Press. Ideja jonë kryesore është që ne të krijojmë një arkiv të cilin veç e kemi krijuar, por të ketë të dhëna shumë kredibile, të cilat pastaj do të bëhen referencë për punime ndërkombëtare prej profesorëve ndërkombëtarë”, tha ai.
Kjo konferencë , e cila ka karakter ndërkombëtar, do të trajtojë krimet e kryera në Kosovë me temë “Shkalla, trashëgimia, dokumentacioni dhe gjykimi i krimeve të kryera në Kosovë”. Ajo do të mbahet më 17 e 19 shkurt Prishtinë. Në këtë konferencë do të marrin pjesë studiues dhe akademikë nga universitete prestigjioze nga Amerika dhe Evropa.
Hetemi theksoi se kanë pranuar 17 abstrakte nga profesorë të ndryshëm, më eminentë në këtë fushë, ndërsa redaktorët i kanë pranuar vetëm 12 prej tyre. Këta profesorë, sipas tij, në konferencë do t’i prezantojnë të dhënat preliminare të gjetjeve të tyre që i kanë pasur.
Tutje, Hetemi njoftoi se konferenca do t’i ketë tri sesione kryesore: sesioni i cili flet për krimet e kryera gjatë luftës, ku trajtohen shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, pasojat e gjenocidit në shoqërinë tonë dhe arritjet dhe vonesat në arritjen e drejtësisë; sesioni i dytë për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës, fokusohet në metodat më efektive për dokumentim e krimeve të luftës; e në sesionin e tretë flitet për adresimin e krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë.
Po ashtu, ai tha se, përveç sesioneve në të cilët do të prezantohen punimet akademike nga kolegët ndërkombëtarë, do të ketë edhe panele diskutimi me ekspertë të fushës të nivelit lokal, nga shoqëria civile, por edhe nga ekspertë e profesorë të Universitetit të Prishtinës.
“Instituti i Krimeve është themeluar në nëntor të vitit 2023, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2024 e kemi bërë pranim-dorëzimin e parë të materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Arsyeja pse e kemi përzgjedhur 17 shkurti, si një datë Instituti, mëton që edhe në të ardhmen të ketë aktivitete të rëndësishme për shkak se ne besojmë që dokumentimi i mirëfilltë i krimeve të kryera gjatë luftës rikonfirmon domosdoshmërinë e shtetësisë së Kosovës, dhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, kur t’i dokumentojmë krimet e luftës, të binden mirë se kjo ka qenë një domosdoshmëri që populli i Kosovës ka pasur, në mënyrë që të mbijetojë ndaj atyre krimeve të vazhdueshme të cilat i ka përjetuar nga regjimi i mëhershëm”, pohoi Hetemi.
“Gjatë vitit 2024 ne intensivisht kemi mbledhur materiale që dokumentojnë krimet e luftës nga vendi, nga shtetet e rajonit, Maqedonia e Veriut, Republika e Shqipërisë, po edhe nga vende ku kemi arritur të kontaktojmë gazetarë, koleksionistë e organizata të ndryshme”, shtoi ai.
