Kurti: Duam ta përshpejtojmë anëtarësimin në NATO
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dëshiron ta përshpejtojë anëtarësimin e saj në NATO. Ai një deklaratë të tillë e bëri gjatë një paneli me ekonomistin Ricardo Hausmann nga universiteti i Harvardit, në Shtëpinë e Kosovës në Davos.
“Unë besoj që Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm dhe më i vlefshëm i paqes dhe koncept i prosperitetit në botë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne duam të hyjmë në BE dhe të anëtarësohemi në NATO, sepse duam edhe të përfitojmë edhe të kontribuojmë. Ka më shumë gjasa që të hyjmë së pari në NATO, derisa ballafaqohemi me agresionin rus në Ukrainë, që ka ndikuar edhe në Ballkan. Duam ta përshpejtojmë anëtarësimin tonë në NATO, por jo të limitohemi në përshpejtim drejt anëtarësimit në NATO, por edhe të fuqizohemi në vetvete. Ne kemi rritur buxhetin e mbrojtjes, që nga viti 2023 kemi përmbushur atë që quhet kuotë prej 2% të shteteve të NATO-s, që ka qenë zotim i përbashkët i Samitit të NATO-s në vitin 2014”, tha Kurti.
Kryeministri tutje ka theksuar se me anëtarësimin e Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian kthehet në Evropë.
“Hyrjen në NATO dhe BE e presim me padurim sepse ne jemi në Evropë, por Bashkimi Evropian duhet të jetë Evropë. Me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, BE do të jetë Evropë. Unë besoj që hyrja në BE dhe NATO është orientim parimor i bazuar në vlerë. Ne besojmë në demokraci, të drejta të njeriut, sundim të ligjit. Kjo përfaqëson diçka që për neve është përfituese në afatgjatë. Nuk besoj që gjenerata jonë mund të prodhoj diçka më mirë sesa Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.
Kurti përmendi blerjen e raketave, helikopterëve dhe dronëve luftarak, rritjen e numrit të ushtarakëve dhe rritjen e numrit të moshës (nga 23 në 25) si mjete për fuqizimin e ushtrisë.
Kryeministri ka përmendur edhe marrjen e modelit të edukimit të sigurisë nga Polonia, ku nxënësit nga adoleshenca mësojnë për veprimet e nevojshme përballë katastrofave shtetërore apo të armatosura.
Kurti: Ekonomia e Kosovës për herë të parë ka kaluar 10 miliardë euro
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar si të arritur të madhe marrëveshjen për tregti të lirë, të cilën Kosova do ta nënshkruajë me EFTA-n, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, teksa ka vlerësuar se vendi ynë ka shënuar rritje ekonomike gjatë vitit që e lamë pas.
Në një panel me ekonomistin Ricardo Hausmann nga universiteti i Harvardit, në Shtëpinë e Kosovës në Davos, Kurti ka thënë se marrëveshja do të nënshkruhet me përfaqësuesit ekzekutiv të Zvicrës, Islandës, Norvegjisë dhe Lihtenshtajnit, të cilat e përbëjnë Asociacionin Evropian për Tregti të Lirë (EFTA).
“Kjo është një arritje e madhe, pas negociatave të mençura dhe të rënda nga ministrja Rozeta Hajdari, kemi arritur marrëveshje edhe për eksport të shërbimeve dhe jo vetëm të mallrave. Këtu qëndron pjesa e vështirë e negociatave. Kemi rreth 300 mijë shqipfolës, shtetas të Zvicrës dhe mbi dy të tretat e tyre janë nga Kosova. Në Davos mund ta dëgjosh shqipen në shitore dhe kudo, janë tejet mirë të integruar”, ka thënë ai.
Tutje duke folur për temën “Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit”, Kurti ka folur për sfidat e menaxhimit shtetëror, duke përfshirë pandeminë, inflacionin, krizën energjetike pas agresionit rus në Ukrainë, teksa ka theksuar se Kosova ka pasur rritje ekonomike.
“Buxheti shtetëror vjetor është 50% më i madh sesa në vitin 2021. Kjo del nga një rritje impresive ekonomike, që mesatarisht ka qenë 6% e bruto produktit vendor, asnjëherë nuk ka rënë nën 4%. Ekonomia e Kosovës vitin e kaluar për herë të parë ka kaluar 10 miliardë euro, eksportet kanë kaluar 1 miliard euro dhe të ardhurat tatimore kanë kaluar 3 miliardë euro”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se është dyfishuar punësimi te të rinjtë, derisa si ekzekutiv kanë shënjestruar punësimin e grave me 14 mijë vende pune.
