Abdixhiku: Nga Bllaca e Suharekës, mesazhi për unitet dhe refuzim të përçarjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, zhvilloi një tubim madhështor me banorët e fshatit Bllacë në Suharekë, ku u prit me entuziazëm nga qytetarët.

Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku theksoi rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe refuzimit të gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes. “Jemi një popull i vogël për kaq shumë ndarje. Përpara kemi një të ardhme që na bashkon dhe që na pret,” tha ai duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët drejt zhvillimit dhe progresit.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e banorëve dhe për optimizmin që po karakterizon fushatën e tij zgjedhore. “LDK e ka të qartë të ardhmen. Ekipi im e ka të qartë të ardhmen. Bashkë po e ndërtojmë ndryshimin,” u shpreh Abdixhiku duke inkurajuar qytetarët të mbështesin LDK-në në zgjedhjet e ardhshme me numrin 124.

Në përmbyllje, ai theksoi se Republika e Kosovës është ëndrra e përbashkët e të gjithë qytetarëve dhe ftoi të gjithë të bëhen pjesë e ndryshimit për një të ardhme më të mirë. /Kosova.info/


Go to TOP