Haradinaj: Kosova pjesë e Aleancës së Perëndimit, jo e izolimit

Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar se Kosova duhet të jetë pjesë e Aleancës së Perëndimit dhe jo e izoluar.

Pas tubimeve të mbajtura në vendbanime të ndryshme të Kosovës, Haradinaj theksoi se entuziazmi dhe pjesëmarrja masive e qytetarëve në këto tubime janë dëshmi e fuqisë popullore dhe e dëshirës për ndryshim.

“Pjesëmarrja e madhe dhe entuziazmi i qytetarëve në tubimet tona, edhe në vendbanime më të vogla, që nga Vrella e Istogut, Drenoci i Vokshit, Hasi, Gjinoci i Suharekës, Novosella e Gjakovës, e kështu me radhë deri në çdo fshat e lagje anë e kënd Kosovës, janë shenjë e përcaktim i fortë se populli ynë nuk e duron më as mashtrimin as izolimin,” ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se këta mijëra qytetarë janë forca që e shtyjnë AAK-në drejt një “Kosove Fituese”, duke e përmendur numrin 137 si simbol të një vizioni të ri për vendin.

“Këta mijëra qytetarë janë forca jonë që na shtynë drejt Kosovës Fituese – 137!”, ka përfunduar Haradinaj duke theksuar se AAK-ja është një bashkim i fuqishëm për një të ardhme më të mirë për Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP