Murtezaj: ATK gjatë 25 viteve ka mbledhur mbi 11 miliardë euro

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar 25 vjetorin e themelimit.

Në shënimin e përvjetorit të 25-të, u tha se ATK ka shënuar suksese vit pas viti, me ç’rast u përmend digjitalizimi i shërbimeve, vlerësimet pozitive ndërkombëtare e angazhimi i përmirësuar me komunitetin e bizneseve, raporton RTKlive.

Ilir Murtezaj, drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës tha se për këto 25 vjet, institucioni që ai udhëheq ka mbledhur mbi 11 miliardë euro.

“Rrugëtimi për gjatë këtyre viteve ka qenë plotë me sfida, por në të njëjtën kohë ATK ka prekur edhe suksese. Fillimisht ATK kishte një staf prej 30 vetave, ndërsa tani mbi 700. ATK ka obligim të siguroj zbatim të njëtrajtshëm të dispozitave ligjore për gjithë tatimpaguesit. Ne këtë mision e konsiderojmë si mision të shenjtë. Si rezultat i punës profesionale, ATK për këto 25 vite ka mbledhur mbi 8 miliard euro tatime, e në total kemi mbledhur mbi 11 miliard euro. Kemi shënuar progres të jashtëzakonshëm gjatë këtyre viteve. Krahas rritjes së të hyrave ne vazhduam edhe me reformim”, theksoi Murtezaj.

Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe USAID ofruan mbështetjen e tyre ndaj ATK-së.

“Jemi krenar që jemi në këtë rrugëtim bashkë me juve. ATK është kruciale për zhvillimin e vendit”, tha Sebastian Sosa, përfaqësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar

“Urime kolegë nga ATK për këtë arritje dhe faleminderit që na mundësuat të jemi pjesë e rrugëtimit tuaj”, deklaroi Eileen Devitt, përfaqësuese nga Ambasada e Amerikës në Kosovë.

Në ceremoninë e organizuar në shënimin e 25 vjetorit të ATK-së morën pjesë edhe ambasadorë të huaj në Kosovë.

“Gjatë 25 viteve ATK ka demonstruar profesionalizëm dhe zotim për misionin e saj. Ju keni ndërtuar besimin e qytetarëve dhe bizneseve. E keni bërë këtë duke përmirësuar grumbullimin e të hyrave. Jam shumë krenar që Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të rëndësishëm. Jemi krenar për bashkëpunimin që kemi ndarë me ju. Përmes angazhimit tonë ne kemi parë dedikim dhe progres të ATK-së dhe shifrat tregojnë arritjet tuaja, se çfarë progresi keni bërë”, deklaroi Jonathan Hargreaves, ambasador i Ambasadës së Mbretërisë të Bashkuar në Kosovë.

“Gjermania mbetet e zotuar për të vazhduar mbështetjen. Ka qenë privilegj të jemi pjesë e këtij udhëtimi dhe kam kënaqësinë të vazhdojmë partneritetin edhe në vitet në vijim”, theksoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se ATK ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e bizneseve.

“Kjo është një arritje e madhe që simbolizon progresin e përbashkët drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm tatimor. Përmes përkushtimit ATK ka ndihmuar bizneset drejt krijimit të një kuadri që promovon barazinë dhe transparencën. Është e domosdoshme që ATK të vazhdoj dhe t’i mbështes bizneset”, shtoi Rafuna.


Go to TOP