Nënshkruhet marrëveshja 86 milionë euro për renovimin e ndërtesave publike
Sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për efiçiencë të energjisë e cila parasheh investime në 400 ndërtesa publike në Kosovë.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati, Ministrja e Ekonomisë, Znj. Artane Rizvanolli, Drejtori i BERZH-it në Kosovë Z. Sergiy Maslichenko, si dhe Drejtori Menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Z. Driton Hetemi.
Në fjalën e tij, Ministri Murati theksoi se marrëveshja me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me një financim prej 50 milionë euro tashmë është negociuar dhe nënshkruar. “E mira e kësaj marrëveshje është që e njëjta përforcohet edhe më tej me grantin e mbështetjen prej 20 milionë eurosh të siguruar nga institucionet e tjera partnere, siç janë Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Danimarkës”, deklaroi Ministri Murati.
Ministrja Rizvanolli theksoi se është e domosdoshme është që ndërtesat publike të jenë të izoluara mirë dhe të kenë masa të efiçiencës në mënyrë që konsumi i përgjithshëm në vend të ulët, e rrjedhimisht të lehtësohet sistemi elektroenergjetik dhe të reduktohen kostot financiare.
Nga ana e tij, drejtori i BERZH në Kosovë, z. Maslichenko, theksoi se ky projekt dëshmon partneritetin e fortë ndërmjet BERZH dhe Kosovës. Ndërsa, Drejtori Menaxhues i FKEE, z. Driton Hetemi, nënvizoi se projekti pritet të nisë gjatë këtij viti dhe do të përfundojë deri në vitin 2031.
Marrëveshja e sotme është vetëm një fragment i punës disa vjeçare të Qeverisë në sigurimin e efiçiencës së energjisë pasi iniciativa të ngjashme janë nënshkruar me Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Prizrenit, për ndërtesat publike në këto komuna, ku totali i vlerës së atyre projekteve ka qenë 30 milionë euro. /Kosova.info/
