“Sa herë dal në rrugë më parafytyrohen të shtrirë dhe gjaku në asfalt”, dëshmia e familjarit në gjykimin për vrasjen e dyfishtë të vitit 2016 në Deçan
Në Gjykatën Themelore të Pejës, të mërkurën në seancën e rigjykimit ndaj dy të akuzuarve Durim dhe Salih Lushaj, për vrasjen e R.R. dhe B.R., i dëmtuari Agonis Ramaj deklaron se mbetët pranë deklarimeve të dhëna me herët, duke kërkuar që të mos maltretohet me përsëritje të kujtimeve të ditës kritike.
“Ka qenë ngjarje që ka ndodh para dyerve të shtëpisë, e unë sa herë dal në rrugë i shoh të shtrirë dhe e shoh gjakun e tyre në asfalt. Është një temë që me mujt me shly prej memories unë kisha bo gjithçka edhe mundona me harru… Unë kam qenë 15-vjeç kur e kam pa babën dhe axhën të shtrirë në rrugë. Mos të më kthen pas se është maltretim për mu”, tha i dëmtuari Ramaj.
I dëmtuari Ramaj, biri i viktimës R.R., i dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, tha se të akuzuarit i njeh si bashkëfshatar dhe nga ky rast.
I pyetur nga prokurori i shtetit Ersan Qavolli, dëshmitari Ramaj, tha se qëndron prapa deklaratave të dhëna në polici, prokurori, gjykatë, dhe në rikonstruim të vendit të ngjarjes dhe se pos atyre deklaratave ai tha se nuk ka çfarë të shtoj tjetër.
Në anën tjetër, nga pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Durim Lushaj, avokatit Besnik Berisha, dëshmitari tha se ata si familje e dëmtuar nuk ishin pajtuar me familjen e të akuzuarve sipas traditës, mirëpo ja kanë lënë drejtësisë.
“Kanë kaluar 8 vite gati u bënë 9 dhe nuk më kujtohet saktësisht, ama deklarata jem është e njëjtë sikur qysh kom deklaru tre herë tjera”, tha ai.
Për datën 31 gusht 2016, ai kishte deklaruar në polici se kishte qenë në shtëpi tërë ditën dhe nuk ka shkuar askund, ku pohoi që ishte e vërtetë.
Ai gjithashtu pohoi se në prokurori, kishte deklaruar “ditën kritike pas dite unë kam shkuar me motor për me shiqu a jan ardh lopt”.
Sipas dëshmitarit, kjo nuk bënte ndonjë dallim në deklarimin e tij, ku sipas tij në prokurori pastaj ishte pyetur me më shumë detaje.
“Mu mu ka vra baba e axha para syve e ky me bënë pyetje për lopë. Unë nuk kam frikë të përgjigjem por nuk më kujtohet”, tha dëshmitari përgjatë pyetjeve të mbrojtjes.
Tutje, dëshmitari tha se nuk ishte i shoqëruar me ndonjë fëmijë të familjes së të akuzuarve as tani e as më parë.
Dëshmitari Ramaj, tha se ai nuk kishte qenë prezent në ndonjë konflikt mes babait të tij dhe të akuzuarve.
“Më kujtohet kush ka qenë i përfshirë, më kujtohet se e kanë kry vrasjen këta të dy”, tha dëshmitari Ramaj.
Ngjarja tha se kishte ndodhur afër dyerve të shtëpisë së tij, në mes të shtëpisë së tij dhe të axhës së tij Burimit, mirëpo i njëjti thotë se nuk i kujtohen më shumë detaje rreth ngjarjes, pasi që mundohet ta fshijë nga memoria atë ditë.
Dëshmitari serish pohoi që të këtë thënë në deklaratën e tij se “kurgjo nuk të kemi borxh as babën e as kërkon, Durimi i ka thënë se me ma shajt babën jau kisha qit trut në tokë”.
Me përfundimin e orarit të rregullt të punës, seanca u ndërprit për të vazhduare për një datë tjetër.
Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, herën e parë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 vite burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.
Por, Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.
Kurse, në rigjykim, më 28 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë, Durim dhe Sali Lushajn i kishte dënuar me 43 vite burgim (së bashku). Kurse, Apeli përmes vendimit të 4 prillit 2023, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së pare.
Mirëpo, sipas kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të akuzuarve, Gjykata Supreme më 14 nëntor 2023, ka kthyer sërish rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta R.R. Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta R.R, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e B.R, po ashtu me armë zjarri.
Aktakuza thotë se me këto veprime, ata kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe G.R e M.R.
Që të dy, akuzohen nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje.
