Morina: Pafytyrësia e Kurtit, poshtërim për FSK-në dhe shtetin – pseudosovranisti që premton dhe nuk vepron
Gazetari hulumtues Idriz Morina ka kritikuar ashpër Kryeministrin Albin Kurti për qëndrimet dhe veprimet e tij lidhur me veriun e Kosovës, duke e akuzuar për poshtërim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe shtetit.
Sipas Morinës, Kurti ka dështuar të përmbushë premtimin për hapjen e urës së Ibrit për automjete, një çështje e cila mbetet e pandryshuar prej vitesh, përkundër dy urave funksionale. Ai po ashtu e ka kritikuar Kurtin për zotimin e tij ndaj NATO-s, duke theksuar se qeveria aktuale ka ndjekur të njëjtën linjë të marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar nga Hashim Thaçi, ku përcaktohet se FSK-ja nuk mund të operojë në veri pa miratimin e KFOR-it.
“Kritikonte me zë të lartë Hashim Thaçin për këtë marrëveshje dhe pas 11 vitesh e zbaton vetë të njëjtin zotim. Ky është dështim i shumëfishtë dhe turp kombëtar,” u shpreh Morina.
Ai ka akuzuar Kurtin për gënjeshtra dhe manipulime, duke pretenduar se ka kthyer sovranitetin në veri dhe madje ka çliruar këtë pjesë të vendit, megjithëse ushtria kosovare nuk ka shkelur asnjëherë atje.
“Ta imitosh Thaçin pas më shumë se një dekade dhe të mburresh me një çlirim të paqenë është hipokrizi dhe mungesë e thellë atdhedashurie,” përfundoi Morina. /Kosova.info/
