Kurti viziton fabrikën “Jaffa Plus” në Gjilan: një histori suksesi që sfidon kufijtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot fabrikën prodhuese të kompanisë “Jaffa Plus” në Velekincë të Gjilanit, një biznes me pronarë nga Lugina, i cili është shembull i suksesit ekonomik dhe inovacionit industrial. Kjo kompani, e themeluar nga Orhan Sulejmani dhe familja e tij në vitin 1994, ka arritur të zhvillohet në një nga prodhuesit më të mëdhenj të lëngjeve frutore në Kosovë.
Aktualisht, fabrika ka 120 punëtorë dhe prodhon 12 mijë litra lëngje në orë. Me instalimin e një linje të re prodhimi, kapaciteti pritet të rritet në 20 mijë litra në orë, që nënkupton një kamion të mbushur për çdo orë prodhimi.
Produkti i “Jaffa Plus” është i pranishëm në çdo cep të Kosovës, ndërsa 40% e prodhimit eksportohet në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës. Kompania ka eksportuar edhe në Serbi, por është përballur me pengesa administrative që synuan të pamundësonin depërtimin e saj në tregun serb.
Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti u njoh nga afër me procesin e prodhimit dhe ambalazhimit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së bizneseve vendore që krijojnë vende pune dhe përforcojnë ekonominë e vendit. Ai e vlerësoi këtë biznes si një shembull frymëzues të sipërmarrjes dhe përkushtimit familjar.
“Jaffa Plus” vazhdon të jetë një histori suksesi që dëshmon se me punë të palodhur dhe vizion të qartë, mund të arrihet shumë, duke tejkaluar kufijtë dhe sfidat. /Kosova.info/
