Muharremi: mbledhja e taksave nuk është sukses, investimet dhe menaxhimi i mençur janë çelësi i zhvillimit
Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar qasjen e Qeverisë dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ndaj mbledhjes së të hyrave publike, duke e cilësuar si një proces rutinor burokratik që nuk paraqet sukses të mirëfilltë.
“Kur thuhet se ATK ka mbledhur gati 1 miliard euro në vitin 2024, duket sikur këto mjete janë fituar nga zero. Në fakt, ato janë të ardhura të gatshme që i sigurojnë bizneset. Me ligj, këto mjete janë të garantuara, dhe ky nuk është sukses. Sukses është kur nga 500 milionë euro bëhen dyfish përmes punës dhe investimeve të zgjuara,” deklaroi Muharremi.
Ai theksoi se bizneset vendore përballën me sfida të shumta për të siguruar këto të ardhura, të cilat i shkojnë ATK-së me automatizëm. Sipas tij, qeveria dhe institucionet publike duhet t’i menaxhojnë dhe investojnë këto mjete me më shumë kujdes, duke i dhënë frymëmarrje bizneseve dhe ekonomisë vendore.
“Presioni ndaj bizneseve është i madh. Në vend që këto mjete të përdoren për të ndihmuar ekonominë, shumë prej tyre dalin jashtë vendit përmes ndihmave, importeve dhe deficitit. Deficiti tregtar është rritur me 90% nga viti 2021 deri në vitin 2024, duke arritur 5.3 miliardë euro. Kjo është një situatë alarmante që tregon sfidat e ekonomisë sonë,” shtoi ai.
Muharremi propozoi që një qasje alternative mund të ishte reduktimi i ngarkesës fiskale për bizneset, duke i lënë këto mjete në duart e tyre për të stimuluar rritjen ekonomike. “Bizneset do të krijonin më shumë vlerë nëse këto mjete do të mbeteshin në duart e tyre sesa në arkën e shtetit,” përfundoi ai. /Kosova.info/
