Haxhiu: Serbia të dorëzojë kryeterroristin Radoiçiq

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë apel te faktori ndërkombëtar që të rrisë presionin ndaj autoriteteve në Serbi për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radoiçiq tek organet e drejtësisë së Kosovës, teksa ka thënë se pas sulmit të fundit në kanalin Ibër-Lepenc qëndron Serbia.

“Është e rëndësishme që të bëhet trysni ndaj Serbisë që të dorëzojë kryeterroristin, Milan Radoiçiq. Ministria e Drejtësisë së bashku me prokurorinë dhe Policinë e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet sa i përket dorëzimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Ju e dini që ka pasur një përpjekje nga Serbia që të marrë dëshmitë nga Kosova kinse për të hetuar këtë rast atje. Ne i kemi refuzuar”, tha ajo.

Haxhiu: Serbia qëndron prapa dy sulmeve, nuk ka çka të fshehë

E pyetur rreth deklaratave të ambasadorit amerikan në Serbi që ka thënë SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës, Haxhiu tha se nuk i ka dëgjuar ato, por është shprehur bindur se Serbia qëndron prapa këtij sulmi.

“Sa i përket deklaratave të ambasadorit Hill nuk i kam dëgjuar dhe nuk mund të flas për diçka që nuk kam dëgjuar, por mund të flas që edhe sulmi terrorist në Banjskë edhe në Ibër-Lepec është e qartë që ka të bëjë me një ndërmarrje të  madhe të organizuar me shumë aratim, me shumë financim, me shumë trajnime që bëhen në Serbi, dhe pas tyre është Serbia, është e qartë që kjo të kuptohet. Ne kemi shprehur gatishmërinë që ta na ndihmojnë edhe FBI edhe vendet tjera partnere. Kosova nuk ka çka të fshehë. Është e qartë se Serbia tenton të hap informacione të pasakta e të heq përgjegjësinë që ka mbi dy sulme terroriste në Kosovë”, tha Haxhiu.

Padia për gjenocid, Haxhiu: Procesi është konfidencial

E pyetur për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, Haxhiu tha se është proces shumë i ndjeshëm, jo i lehtë duke pasur parasysh edhe praktikat e vendeve të tjera.

“Gjithë kohës ekspertë të fushës kanë qenë të angazhuar në këtë drejtim. Procesi është konfidencial është i klasifikuar, nuk mundem të ndajë  informacione më shumë se kaq. Duke qenë se është proces i klasifikuar nuk më lejohet të ndajë më shumë informacione, por që është në agjendën tonë. Po punojmë me ekspertë të çështjes, të huaj e vendorë, e besojmë që për një kohë jo të gjatë do të kemi veprime konkrete në kuptimin e adresimit të përgjegjësive që i kemi”.

Haxhiu: Prokuroria t’i përgjigjet kërkesës së kryeministrit për dëshminë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e pyetur nga gazetarët se si e sheh mospërgjigjen e kryeministrit Albin Kurti karshi ftesës së Prokurorisë Speciale, tha se  kjo nuk do të ishte hera e parë që ndodhë diçka e tillë. Ajo tha se nëse prokuroria është e interesuar që ta marr dëshminë  e kryeministrit lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së tij.

“Nuk është hera e parë, nuk është diçka e pazakontë apo diçka e paligjshme. Nëse prokuroria është e interesuar që ta marrë dëshminë  e kryeministrit lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së tij, gjegjësisht kabinetit, përmes këshilltarëve të tij. Rasti i rezervave shtetërore ka ndodhur në gushtin e vitit të kaluar dhe siç e kemi thënë edhe më herët në ditën kur ne diskutonim për listat e kandidatëve, vjen njoftimi nga Zyra e Kryeministrit që Prokuroria Speciale paska ftuar kryeministrin për dëshmitar. A nuk ka pasur mundësi që kjo të bëhet më herët, nëse është dashur të bëhet. Pse pikërisht në kohën kur ne jemi në një proces zgjedhor tashmë, ndonëse nuk jemi zyrtarisht në një fushatë zgjedhore. Është e qartë se Prokuroria Speciale me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën tonë, për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje e Qeverinë”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se tendenca të tilla ka pasur edhe kur kanë dashur ta shpallin Vetëvendosjen organizatë terroriste. “Për ta lidhur kryeministrin Kurti e kryetarin e Kuvendit Konjufca me organizata fantome, i kanë mbajtur njerëzit me vite në burg pa asnjë faj. Nuk është diçka që nuk e kemi parë më herët. Tendencat ua dimë, qëllimet ua kuptojmë”, tha Haxhiu.

Ajo tha se e dinë shumë mirë dhe kanë informacione që kanë siguruar nga Prokuroria Speciale, të cilët kanë treguar se dëshmia e kryeministrit në zyrë nuk do të ishte rasti i parë.

“Nuk do të ishte rasti i parë, madje e dimë shumë mirë edhe si i kanë pritur e si kanë dalë prokurorët nga zyrat e nivele të larta. Mos më detyroni të jap informacione më shumë se kaq, informacionet i kemi siguruar nga vetë Prokuroria Speciale”, tha ajo.

Go to TOP