Shoqata e Kultivuesve të Arrës dhe të Lajthisë kërkon zgjidhje për vonesat në ndërtimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë
Shoqata e Kultivuesve të Arrës dhe të Lajthisë ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me vonesat e vazhdueshme në ndërtimin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë, projekt i nisur në vitin 2017. Megjithëse deri më tani janë shpenzuar mbi 3.5 milionë euro, objekti mbetet i papërfunduar, duke ndikuar rëndë në funksionimin dhe riakreditimin e programeve akademike të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV).
Një nga programet më të rrezikuara është ai i “Pemëtarisë dhe Vreshtarisë”, i cili pritet të kalojë në procesin e riakreditimit më 18 dhjetor 2024. Sipas Shoqatës, hapësirat aktuale të fakultetit janë të pamjaftueshme dhe nuk i plotësojnë standardet për zhvillimin cilësor të këtij programi. Mosakreditimi do të kishte pasoja të rënda për të ardhmen e sektorit të pemëtarinë dhe vreshtarisë, të cilat janë thelbësore për ekonominë bujqësore të vendit.
Shoqata vlerëson se përfundimi i këtij objekti është jetik për përgatitjen e specialistëve të rinj në fushën e bujqësisë dhe për rritjen e cilësisë dhe të sasisë së prodhimit bujqësor. Në mungesë të ndërhyrjes së qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë për të siguruar mbarimin e projektit, sektori bujqësor rrezikon të përballet me pasoja afatgjata dhe të dëmtojë përparimin ekonomik të vendit.
Për këtë arsye, Shoqata kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë të marrin masa të menjëhershme për përfundimin e objektit dhe përmbushjen e kërkesave të procesit të riakreditimit.
Sipas tyre, veprimet urgjente janë të domosdoshme për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për sektorin e pemëtarisë dhe vreshtarisë dhe për të shmangur vonesat që dëmtojnë zhvillimin bujqësor në Kosovë.
Shoqata thekson rëndësinë e përkushtimit institucional ndaj këtij projekti, duke vlerësuar se investimet në arsim dhe bujqësi janë investime direkte në të ardhmen ekonomike dhe zhvillimore të vendit. /Kosova.info/
