Hetemi: U vendosen themele të forta për dokumentimin e krimeve të luftës
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi tha se që nga themelimi i institutit kanë ndjekur një qasje të hapur e gjithëpërfshirëse. Sipas tij, transparenca e fryma e bashkëpunimit ka qenë shtylla kryesore për të ndërtuar një institucion të besueshëm e kredibil.
“Raporti 1 vjeçar përmbledhë informata të punës së institutit nga nëntori i vitit 2023 deri në nëntor të vitit 2024 dhe pasqyron përpjekjet tona të përbashkëta për të vendosur themelet e forta për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës. Gjatë kësaj periudhe janë bërë hapa të rëndësishëm për të pambushur dhe fuqizuar këtë mision”, tha ai.
Por, Hetemi tregoi se janë përballur edhe me shumë sfida.
“Veç vështirësive për të identifikuar materialet, vdekja e dëshmitarëve dhe dëmtimi i materialeve të ndryshme, një sfidë e vështirë ishte edhe ndërtimi i besimit të publikut. Ky proces kërkoi përpjekje të veçanta për të siguruar që edhe qytetarët të ndihen të përfshirë dhe të jenë partner aktiv në dokumentimin e së kaluarës. Këto sfida nuk e zbehën përkushtimin tonë, përkundrazi ato na mobilizuan për të punuar edhe më shumë”, vijoi Hetemi.
Ka treguar se për vitin 2025 prioritet kryesor mbetet funksionalizimi i plotë i institutit, intensifikimi i përpjekjeve për grumbullimin e materialeve edhe në shtetet e rajonit dhe implementimi i projektit të digjitalizimit.
