LBK: Sulmet ndaj korporatave të rëndësishme, dëmtojnë zhvillimin ekonomik dhe imazhin e Kosovës

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me sulmet dhe përpjekjet për të dëmtuar imazhin e dy prej korporatave më të rëndësishme në vend. Sipas LBK-së, këto veprime kanë motive politike dhe synojnë përfitime të ngushta në kuadër të fushatave zgjedhore, duke përfshirë padrejtësisht sektorin privat në këto debate.

“Në reagimin tonë, dënojmë ashpër çdo përpjekje për të dëmtuar imazhin dhe integritetin e kompanive që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sulmet e tilla, të motivuara nga interesa politike krijojnë një mesazh të gabuar për investitorët e huaj dhe mund të dëmtojnë seriozisht klimën e investimeve në vend,” thuhet në deklaratën e LBK-së.

Lidhja ka theksuar se sulmet e motivuara politikisht ndaj sektorit privat jo vetëm që dëmtojnë imazhin e Kosovës, por krijojnë një pasiguri të panevojshme për investitorët, duke ndikuar negativisht në një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt për zhvillim.

“Politika dhe interesat partiake të ngushta nuk duhet të dëmtojnë sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Transparenca dhe respektimi i ligjit duhet të jenë parime udhëheqëse në çdo aspekt të jetës ekonomike dhe politike,” shtohet më tej në reagim.

LBK ka bërë thirrje për një klimë më pozitive dhe mbështetëse për bizneset dhe investitorët, duke dënuar çdo formë të keqpërdorimit të politikës për të goditur integritetin dhe stabilitetin e korporatave në vend.

“Si përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë, ne besojmë fuqishëm në mbrojtjen e parimeve të praktikave të drejta të biznesit dhe të të drejtave të bizneseve që operojnë brenda vendit,” përfundon deklarata e LBK-së.

Ky reagim vjen në një kohë kur sulmet ndaj sektorit privat kanë ngjallur debat të gjerë, duke ngritur shqetësime për ndikimin e politikës në ekonominë e vendit. /Kosova.info/

Go to TOP