Vullnetarët që ringjallën revistën Jeta e re të Rumanisë
Një grup historianësh vizualë kanë lansuar një faqe interneti me qasje të hapur, që ringjall revistën fotografike rumune Uj Elet (Jeta e re), duke ofruar një pasqyrë të re të vendit në shekullin XX. /REL/


Uj Elet, që do të thotë Jeta e re, ishte një botim në gjuhën hungareze dedikuar rreth një milion hungarishtfolësve në Rumani. Revista nisi të botohej në vitin 1959.

Edgar Szocs, i cili krijoi arkivin në internet, i tha Radios Evropa e Lirë se ideja i lindi pasi ai mësoi për dhjetëra kuti fotografish të marra nga fotografët e Uj Elet që lëngonin në një bibliotekë në rajonin e Transilvanisë të Rumanisë.

“Kam kontaktuar me ta dhe ata ishin të lumtur”, kujton Szoc pasi mijëra imazhe zbuloi në bibliotekën rurale. “Ata thanë: ‘Oh ua, ju jeni të interesuar për ato?’. Sepse, thjesht, kishin qëndruar atje për vite me radhë”.

Szocs është një nga themeluesit e Azopan, një arkiv fotografish me qasje të hapur me foto kryesisht amatore të Rumanisë nga shekulli XX, që do të thotë se infrastruktura e nevojshme për arkivin e Uj Elet ishte pothuajse e kompletuar.

Szocs shpreson se burimi do të mundësojë identifikimin e sa më shumë imazheve nga përdoruesit që kanë njohuri të verifikuara e që mund të kontribuojnë me përshkrimin e tyre. Fotot mund të lidhen edhe me edicionin e revistës në të cilën janë shfaqur.

Uj Elet është krahasuar me revistën amerikane Life Magazine, e cila ishte një model i përafërt i asaj kohe. Por, duke u botuar gjatë gjithë sundimit të diktatorit komunist Nicolae Caausescu, do të thoshte se kishte kufizime të rrepta për atë që mund të shkruhej ose fotografohej në botimin rumun.


Ky imazh i pasojave të një aksidenti trafiku të vitit 1965 u shoqërua me tekstin: “Ja pasojat tronditëse të pakujdesisë! Makina në hendek, motori në mes të rrugës. Për pronarin e saj qajnë prindërit dhe fëmijët. Le të nxitojmë të nxjerrim mësimin: Transporti i sigurt është gjithashtu një çështje e përgjegjësisë kolektive dhe e masave paraprake”.
![Szocs thotë se, për të, imazhi që bie më shumë në sy nga mijëra që ka analizuar është kjo foto panoramike e peizazhit industrial që rrethon kështjellën Corvin (djathtas). "Ajo ishte kështjella e familjes së mbretit Mathew të Hungarisë", thotë Szocs. “Në ditët e sotme nuk ka mbetur asgjë [nga ky sfond]; e gjithë uzina industriale përreth kalasë u shemb pas vitit 2000”.](https://gdb.rferl.org/729a52fe-8b7e-4ed3-8baf-9794e3c8144e_w1023_s.jpg)
“Ajo ishte kështjella e familjes së mbretit Mathew të Hungarisë”, thotë Szocs. “Në ditët e sotme nuk ka mbetur asgjë [nga ky sfond]; e gjithë uzina industriale përreth kalasë u shemb pas vitit 2000”.

Uj Elet e përshkroi misionin e saj me fjalët : informimi i lexuesit “për ngjarjet kryesore politike dhe shoqërore të kohës sonë, të cilat janë thelbësore për ngritjen e nivelit kulturor të masave më të gjera të popullsisë dhe për formimin e botëkuptimit të njeriut socialist”.

Pas revolucionit rumun, revista Uj Elet vazhdoi për disa vite me emrin Erdelyi Figyelo (Vëzhguesi Transilvanian). Numri i fundit u botua në vitin 1996.
