Zogaj: Prishtina drejt qëndrueshmërisë energjetike-fillon koordinimi për projektin “Solar for Kosovo”
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka njoftuar sot mbajtjen e një takimi të rëndësishëm koordinues për projektin madhor “Solar for Kosovo”. Me një vlerë prej pothuajse 100 milionë eurosh, ky projekt inovativ, i pari i këtij lloji në Ballkan, synon të sigurojë ngrohje qendrore përmes paneleve solare, duke shënuar një hap të madh drejt qëndrueshmërisë energjetike dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga partnerët strategjikë si KFW, Bashkimi Evropian (EU), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Termokos, dhe Komuna e Obiliqit. Diskutimet u fokusuan në përgatitjet, sfidat dhe hapat e ardhshme për realizimin e projektit.
“Ky projekt do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë dhe do të vendosë Kosovën si lider në rajon për energjinë e gjelbër,” deklaroi Zogaj duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer.
Zogaj tha se, “Solar for Kosovo” dëshmon fuqinë e partneriteteve ndërkombëtare dhe vizionin për një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët. /Kosova.info/
