Kurti në Kuvend: Bruto Produkti Vendor për herë të parë sivjet do ta kalojë shifrën prej 10 miliardë eurosh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Kuvend ka diskutuar projektbuxhetin për vitin 2025, i cili pritet të votohet gjatë ditës.
Kurti theksoi se është kryeministri i parë që paraqet buxhetin e katërt të mandatit të tij, duke theksuar rëndësinë e këtij buxheti për ekonominë e vendit.
“Buxheti për vitin 2025 është parashikuar të jetë 3.6 miliardë euro, ose rreth 9% më i lartë se buxheti i vitit të kaluar, dhe 60% më i lartë sesa ai i vitit 2020. Për të arritur deri këtu, në këto katër vite kemi kaluar sfida të shumta globale dhe të brendshme. Megjithatë, ndryshe nga të tjerët para nesh, kemi synuar që buxheti të orientohet aty ku kthimi është më i larti – tek qytetarët tanë. Duke vepruar kështu vit pas viti, buxheti është rritur në mënyrë të qëndrueshme pa ndryshuar politikat tatimore, sepse investimi tek qytetarët ka vazhduar të sjellë rritje të qëndrueshme,” tha Kurti.
Ai shtoi se “buxheti për paga dhe shtesa është 13.85% më i lartë se në vitin 2024, duke arritur 111.5 milionë euro. Për mallra dhe shërbime, përfshirë edhe ato komunale, është parashikuar një rritje prej 3.2%. Ndërkohë, buxheti për subvencione dhe transfere ka një rritje prej 8.75%, duke përfshirë masa të reja për pensionet, shtesat për fëmijë, rimëkëmbjen ekonomike dhe të tjera. Buxheti për investime kapitale është 8.3% më i lartë se vitin e kaluar.”
Kurti theksoi gjithashtu se Produkti i Brendshëm Bruto është rritur ndjeshëm, duke kaluar për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove këtë vit dhe pritet të kalojë 11 miliardë euro në vitin 2025.
“Sivjet, PBV-ja është afërsisht shtatë herë më e lartë se në vitin 2000 dhe afro 50% më e lartë se para pandemisë, në vitin 2019,” përfundoi Kurti.
