Lidhja e Prizrenit (M) dhe Drita (F) skuadrat kampione në superligë

Të dielën në Prishtinë u zhvillua xhiro e fundit e Kampionatit ekipor për Superligën e meshkujve dhe të femrave

 Lidhja e Prizrenit edhe pse u rrezikua  nga KPP Liria e cila mblodhi numër të njëjtë pikësh, u shpall kampione në saje të fitores më bindëse ndaj Lirisë  në stinorin e pranverës. Pripingu, deri para 3 xhirove të fundit ishte po ashtu mëtues për titull, por nuk arriti ti përballojë presionit dhe mbeti në vendin e tretë. Paysera Dardania me fitoren në xhiron e fundit ndaj Prishtinës u rendit në pozitën e katërt me po aq pikë sa edhe Prishtina. KPP Shkolla Prizreni, është skuadra e gjashtë që do të bëjë gara në Elitë edhe vitin e ardhshëm, kurse dy skuadrat ferizajase, Gani Maloku dhe Ahmet Hoxha do të kalojnë në një rang më të ulët, në Ligën e Parë.

Në Superligën e femrave, Drita e Gjilanit, qysh më herët e kishte siguruar titullin e kampionit me të gjitha ndeshjet e fituara. Prishtina u rendit e dyta, duke i fituar shumicën dërrmuese të ndeshjeve përveç atyre ndaj Dritës. Ahmet Hoxha F, doli e treta me 24 pikë, para Junikut që me rezultatet e mira në stinorin vjeshtor arrin të shkëputet nga zona e rënies dhe u rendit e katërta. Ahmet Hoxha MK është në periudhën e kalimit të gjeneratave, dhe për shkak të përbërjes me lojtarë të rinj, arriti të sigurojë vetëm mbijetesën në Superligë. Mbetjen në Elitën e pingpongut femëror e arriti edhe Shpresa në vendin e 6-të me 19 pikë. Vushtrria dhe Istogu vitin e ardhshëm do të bëjnë gara një rang më ulët, në Ligën e Parë. /Kosova.info/

Go to TOP