Bajrami: Buxheti 2025 është tranzitor, Qeveria e re me Abdixhikun kryeministër do ta hartojë nga fillimi
Të hënën, më 11 nëntor, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet shqyrtimi i parë për projektbuxhetin e vitit 2025. Ky projektligj, që kërkon shumicë të thjeshtë për të kaluar, pritet të përballet me sfida për shkak të kundërshtimit nga partitë opozitare. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se zotëron mbështetjen e nevojshme me 61 vota për miratimin e buxhetit.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar projektbuxhetin duke e cilësuar atë si “tranzitor” dhe ka deklaruar se pas datës 9 shkurt, kur sipas saj vendi do të ketë qeveri të re të drejtuar nga Lumir Abdixhiku, buxheti do të rishikohet tërësisht për të reflektuar angazhimet e programit të LDK-së “Rruga e Re.”
Gjatë mbledhjes së fundit të Kryesisë së Kuvendit, opozitarët nga PDK, LDK dhe AAK konfirmuan se nuk do ta mbështesin buxhetin prej 3.6 miliardë eurosh, duke shprehur rezervat e tyre për këtë projekt.
Ndërkohë, organizata Lëvizja FOL ka shprehur shqetësime rreth praktikave të propozuara nga Qeveria në projektbuxhetin e ri, veçanërisht në lidhje me koeficientët e pagave në sektorin publik. FOL ka theksuar se neni 9 i Ligjit për Pagat përcakton që vlera monetare e koeficientit të vendoset përmes ligjit vjetor të buxhetit, por nuk autorizon ndryshimin e strukturës së koeficientëve. Organizata ka bërë thirrje që deputetët të ruajnë integritetin ligjor dhe të shmangin precedentin e rrezikshëm për interesat e qytetarëve të Kosovës.
Seanca plenare do të fillojë nesër në orën 10:00, ku deputetët do të diskutojnë vetëm një pikë: projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025.
