Protestë në mbështetje të punëtoreve teknikë në Kuvend: “Nuk janë mall”
Kolektivi Feminist dhe organizata “Përpjekja” mbajtën një protestë solidarizuese për të mbështetur grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës.
Protestueset mbanin pankarta me mesazhe si “Punëtoret nuk janë mall”, “Pagë të njëjtë për punë të njëjtë” dhe “Schafberger shtyp punëtoret. Kuvendi e lejon”.
Yll Islami nga organizata “Përpjekja” tha se këto gra tashmë janë në javën e tetë të grevës dhe kërkesat e tyre janë të qarta dhe të drejta.
Sipas Islamit, kompania Schafberger, që fitoi tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit, ka ofruar çmimin më të ulët në kurriz të punëtoreve, të cilat paguhen vetëm 275 euro në muaj – një shumë që shpesh nuk mjafton as për qiranë e një banese në Prishtinë.
Ai shtoi se aktivitetet do të vazhdojnë derisa kërkesat e punëtoreve të plotësohen.
“Jemi mbledhur sot para Kuvendit të Republikës për të mbështetur punëtoret greviste. Tashmë jemi në javën e tetë të grevës së punëtoreve teknike që kërkojnë një pagë prej 550 euro dhe trajtim dinjitoz në punë. Përderisa këto gra po qëndrojnë jashtë Kuvendit, deputetët brenda kanë nisur të shpallin njëri-tjetrin tradhtar për të përfituar politikisht para zgjedhjeve, ndërkohë që një grevë e punëtoreve sanitare po zhvillohet afër dhe shumë nga ta as nuk janë në dijeni,” u shpreh Islami.
Ai shtoi se tenderët e shtetit duhet të përfshijnë pagat dhe kushtet e punës së punëtorëve.
“Pagat dhe kushtet e dinjitetshme nuk arrihen nga mëshira e pronarëve apo pushtetarëve hipokritë. Organizimi i punëtorëve është zgjidhja e vetme. Qëndresa e këtyre grave është shembull që duhet ndjekur,” përfundoi Islami, duke ftuar qytetarët të bashkohen në organizimet e radhës për plotësimin e kërkesave të punëtoreve.
