Haradinaj thotë se Kurti është shefi i korrupsionit e të këqijave

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti për nivel të lartë korrupsioni, të cilin e përshkroi si më të lartin që ka parë ndonjëherë, duke përmendur “lidhje të shkurtra dhe miqësitë e ngushta”.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Haradinaj tha se Lëvizja Vetëvendosje ka filluar të sillet si opozitë e ardhshme, duke krijuar tensione të brendshme. Sipas tij, Kurti ka ofruar autorizime të pakufizuara për miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij në pozita të ndryshme brenda bordeve dhe ministrive.

“Po shohim një Vetëvendosje që vepron si opozitë, e cila po shfaq të njëjtën sjellje që e kemi parë kur ishte në opozitë më parë. Fatkeqësisht, korrupsioni nuk ka qenë kurrë më i lartë se tani. ‘Lidhjet e shkurtra’ dhe ‘dostat’ janë arsyeja për këtë; Kurti ka ofruar autorizime të pakufizuara për të besuarit e tij, dhe kjo e bën atë përgjegjës për korrupsionin e përhapur,” deklaroi Haradinaj.

Në rast se qytetarët do t’i japin mundësinë të udhëheqë vendin, Haradinaj premtoi një kthesë të madhe drejt anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO. Ai theksoi se kjo do të hapte rrugë për investime, zhvillim ekonomik dhe një perspektivë më të mirë për të rinjtë.

“Sipas planit tim, anëtarësimi në NATO do të jetë prioritet për të përmirësuar arsimin, shëndetësinë dhe për të siguruar që të rinjtë të kenë të ardhme këtu, në Kosovë,” përfundoi Haradinaj.

Go to TOP