Kurti fton gjigantët e teknologjisë në Cyrih për investime në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi vizitën në Cyrih duke u takuar me kompani të sektorit të teknologjisë e të njohura ndërkombëtarisht si Belimo, Migros, Bühler, PostFinance, Galenika, Xebia, Allianz. 

Përgjatë bashkëbisedimeve me drejtues dhe përfaqësues të lartë të këtyre kompanive, kryeministri Kurti i njohu ata me rritjen ekonomike dhe progresin demokratik të Kosovës, dhe me arritjen e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me shtete EFTA muajin e kaluar, anëtare e së cilës është Zvicra.  

Në takim, kryeministri veçoi sektorin e teknologjisë së informacionit, me infrastrukturën digjitale e cila ka njohur hov të ri përparimi në tri vitet e fundit. Përmendi përhapjen e brezit të gjerë të internetit në të gjithë vendin dhe me teknologjinë 5G, mbi 2000 kompanitë në sektorin e teknologjisë të cilat eksportojnë shërbime edhe jashtë vendit, shërbimet dhe portalet që lehtësojnë qasjen e qytetarëve e realizuar përmes e-Kosova që tashmë ofron mbi 200 shërbime, si dhe mbështetja e të rinjve që angazhohen në këtë sektor përmes trajnimeve profesionale dhe bursave studimore. 

Ai i ftoi kompanitë që të investojnë në Kosovë, të bëhen pjesë e ekosistemit teknologjik dhe zhvillimor të vendit tonë por edhe pjesë e një mjedisi të mirë të të bërit biznes. /Kosova.info/

Go to TOP