Speci Fefaron po konsiderohet me më leverdi për bujqit në vend
Varieteti i specit fafaron në krahasim me kulturat tjera bujqësore po konsiderohet me më leverdi për bujqit në vend. Bujqit për emisionin ‘Toka’ në RTK thonë se lloji i specit fefaron është shumë më i lehtë për tu punuar krahasuar me llojet e specave të tjerë.
Isuf Zeqiri nga fshati Gërdovc, Komuna e Podujevës thotë se vitin e kaluar kishte mbjellë për herë të parë 20 ari me kulturë të fafaronit, kurse këtë vit duke e parë që është me më leverdi ai ka mbjellë mbi 1 hektarë.
“Arsye për shtim të hapësirave me Fafaron, është përfitimi i mirë dhe kultivimi më i lehtë në krahasim me kulturat e tjera të specit”, thotë Zeqiri për emisionin ‘Toka’ në RTK.
Përkundër që kishim një vit që u karakterizua me temperatura të larta, Zeqiri thotë se gjendja e fafaronave është e mirë, dhe se siç thotë ai nga një hektarë këtë vit, ka vjelë rreth 15 tonë fafaronë.
Ai thotë se edhe çmimi i shitjes së fafaronëve është më i lartë për 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërkaq thotë, se shitja është e sigurt, pasi e gjithë kjo po kryhet në një pikë grumbulluese po në këtë komunë.
Krahas rendimentit dhe çmimit të mirë, Zeqiri thotë se pozitive për këtë kulturë këtë vit ishte edhe pakësimi i sëmundjeve.
“Edhe pse fafaroni, si bimë rangohet ndër bimët me qëndrueshmëri të lartë edhe ndaj sëmundjeve, prapëseprapë, zvogëlimi i sëmundjeve e ka pasur rol pozitiv. Kostoja e mbjelljes së saj është pothuajse e njëjtë me koston e mbjelljes së specit somborkë”, thotë Zeqiri.
Derisa të tjerët ankohen për mungesë të fuqisë punëtore, Zeqiri thotë se nuk e kishte këtë problem.
“Pagesën e punëtorëve e kamë kryer në saje të kilogramëve që i kanë mbledhë”, thotë ai.
Në anën tjetër edhe Arsim Gërvalla nga fshati Lupq i Poshtëm i Podujevës është kultivues i fafaronës, i cili këtë vit ka të mbjella rreth 2 hektarë.
Ai thotë se temperaturat e larta që mbretëruan për 3 muaj rresht në vendin tonë e ka stagnuar pak zhvillimin e kësaj kulture, por prapë sipas tij, fafaroni është në gjendje të mirë dhe se rendimentet janë të kënaqshme.
Gërrvalla për emisionin ‘Toka’ në RTK thotë se shitjen e produktit e ka të sigurt pasi e dërgon në pikën grumbulluese që është pronë e familjes.
Ai thotë se sa i përket fuqisë punëtore, kanë filluar të paraqiten vështirësitë me mungesën e tyre.
Kurse, jo larg nga hapësirat e Gërrvallës të mbjella me fafaron, në fshatin Lupq të Poshtëm gjendet pika grumbulluese e kësaj familjeje.
Mensur Gërvalla i cili është bashkëpronar me gruan e tij, në këtë biznes familjar thotë se krahas kultivimit të fafaronit që e kryenin gati qe 10 vjet, në 3 vitet e fundit kanë filluar grumbullimin e saj me qëllim të përpunimit.
“Kapacitetet për momentin nuk janë të mëdha pasi e gjitha është realizuar me vetëfinancim”, thotë Gërrvalla për emisionin ‘Toka’ në RTK.
Ai thotë se kultivuesit e fafaronit shitjen e prodhimit e kanë të sigurt dhe e kryejnë brendapërbrenda Kosovës.
“Çmimi i grumbullimit varet nga cilësia, mirëpo ajo që duhet të thuhet është se në vendin tonë ka ende hapësirë për shtim të hapësirave me këtë kulturë”, thotë Gërrvalla.
Mimoza Daragaqina e cila ka një biznes familjar që merret me grumbullim dhe përpunim të fafaronit, duke folur për procedurat e pranimit dhe përpunimit të fafaronit, thotë se kriteri është përmbushja e parametrave fizik.
Dragaqina thotë se në bashkëpunim me fermerët synojnë që të prodhojnë produkte me sa më pak prani të preparateve.
“Sa i përket vlerave ushqyese, fafaroni vlerësohet si antioksidant i fuqishëm me vlera të larta të vitaminës C dhe mineraleve. Krahas konservimit, sugjerohet që të përdoret i kombinuar edhe me mish dhe brumëra, pasi sasia e lartë e vitaminës C-e, rrit cilësinë e të ushqyerit”, thotë Dragaqina për emisionin ‘Toka’ në RTK.
Ajo thotë se përdorimi i fafaronit me ushqime të shpejta sugjerohet për shkak se përmirëson pak a shumë cilësinë e ushqimeve të shpejta të cilat shquhen për prani të lartë të yndyrave, e kjo bimë ndikon në tretjen më të lartë të tyre.
