Apeli e lë në paraburgim Naser Hafizin

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Shpetim Mehmeti, mbrojtësit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Naser Hafizi, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hafizit i është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 tetor 2024, caktoi masën e paraburgimit për Hafizin, i cili dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar,” “Shpëlarje të parave,” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore apo detyrimeve financiare.”

Avokati Mehmeti, duke pretenduar për shkelje esenciale të procedurës penale dhe për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, apeloi vendimin duke kërkuar ndërprerjen e paraburgimit ose caktimin e një mase më të butë për klientin e tij. Ndërkohë, Prokuroria e Apelit propozoi që ankesa të refuzohej si e pabazuar, ndërsa të vërtetohej vendimi i Gjykatës Themelore.

Gjykata e Apelit, më 18 tetor 2024, konkludoi se ankesa e mbrojtjes ishte e pabazuar dhe vendimi i Themelores ishte në përputhje me ligjin. Gjithashtu, Apeli vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar që Hafizi, në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Udhëzimin Administrativ për strukturën e pagesave ujore. Sipas raportit të grupit ministror, shuma e borxhit të operatorëve ekonomikë ndaj ARLP-së ishte 19,297,447.67 euro, ndërsa Hafizi pa bazë ligjore ka inicuar vendime për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve, duke dëmtuar buxhetin e shtetit për përfitime personale apo të personave të tjerë.

Gjykata e Apelit konfirmoi se vendimi i shkallës së parë bazohet në prova të mjaftueshme që tregojnë veprimet inkriminuese të të pandehurit.

Go to TOP