Provokim i rëndë në BeH: Dikush e vendosi në Google emrin e Ratko Mladiqit në mes të varrezave të viktimave të Srebrenicës
Punonjësit e Qendrës Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari kohët e fundit, duke përdorur një aplikacion për rezervimin e akomodimit, vunë re shfaqjen e një etikete “Parku Ratko Mladiq” në Google Maps, pikërisht në mes të varrezave ku prehen viktimat e vrara gjatë gjenocidit të korrikut 1995.
“Jemi të sigurt se kjo lidhet me individët që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Kjo ndoshta është një tjetër formë mohimi ose një shaka e papërshtatshme,” tha Almasa Salihoviç, zëdhënëse e Qendrës Memoriale.
Punonjësit kanë bërë një kërkesë për Google që të heqë këtë etiketë. Sipas Salihoviç, etiketa nuk është e dukshme në të gjitha pajisjet dhe mund të shihet vetëm kur harta zmadhohet shumë afër.
“Për të mbijetuarit dhe dëshmitarët e gjenocidit, kjo paraqet një tjetër fyerje dhe hapje të plagëve, që na kujton një histori të dhimbshme,” shtoi Salihoviç.
Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë ka konstatuar se gjatë gjenocidit të korrikut 1995 në Srebrenicë, mbi 7000 burra dhe djem u vranë dhe shumë prej tyre janë varrosur në varrezat e Potoçarit.
Vendosja e etiketes “Parku Ratko Mladiq” është një veprim që glorifikon një kriminel lufte, gjë që është rreptësisht e ndaluar dhe e dënueshme sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, tha avokati Edvin Agiq.
“Përdorimi i fjalës ‘park’ pranë varrezave të viktimave është një mohim dhe minimizim i tragjedisë, që ofendon thellë të mbijetuarit,” tha Agiq.
Ligji përcakton që çdo akt që përfshin lavdërimin e një personi të dënuar për gjenocid përbën vepër penale dhe mund të dënohet me burgim jo më pak se tre vjet.
Ratko Mladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, u dënua nga ICTY në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
